
Një zyrtar policor ka humbur jetën të premten në Prishtinë, ndërsa dyshohet se ka kryer vetëvrasje.
Lajmin e ka konfirmuar për Ekonomia Online, Agron Borovci, zëdhënës i Policisë për rajonin e Prishtinës, i cili njoftoi se rasti ka ndodhur rreth orës 14:45 në rrugën “Ahmet Korenica”.
Pasi kanë mbërritur në vendin e ngjarjes, mjekët emergjentë kanë konstatuar vdekjen e viktimës, një mashkull 47 vjeç.
“Rreth orës 14:45, kemi pranuar informatën për një trup të pa jetë, në rrugën “Ahmet Korenica” në Prishtinë. Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes si dhe mjekët emergjent të cilët kanë konstatuar vdekjen e viktimës, mashkull, 47 vjeç, zyrtar policor”, tha Borovci.
Sipas tij, dyshohet se vdekja është rezultat i vetëvrasjes, por hetimet janë ende në vazhdim.
“Mbështetur në informacionet e para nga vendi i ngjarje, përkundër që ka elemente që sugjerojnë për vetëvrasje, policia në koordinim me prokurorin e shtetit ka nisur një hetim mbi vdekjen dhe me kujdes të shtuar po shqyrton të gjitha aspektet e rastit për ndriçimin e plotë të rrethanave të kësaj ngjarje tragjike. Policia e Kosovës shpreh ngushëllimet më të thella për familjen, kolegët dhe miqtë e zyrtarit të ndjerë”, shtoi Borovci.