Vdes në moshën 89 vjeçare shkrimtari nobelist Mario Vargas Llosa

E publikuar: 14/04/2025 09:50
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Fituesi i Nobelit në Letërsi, Mario Vargas Llosa ndërroi jetë në vendlindjen e tij Peru.

Lajmi u bë i ditur nga djali i tij Alvaro në një postim ku shkruan: “Me dhimbje të thellë ju njoftojmë se babai ynë Mario Vargas Llosa ka vdekur në Lima, i rrethuar nga familja dhe në paqe”.

I lindur në Arequipa më 28 mars 1936, fituesi i çmimit Nobel për Letërsi për vitin 2010 kishte rreth dy javë që kishte festuar 89 vjetorin e lindjes.

Sipas dëshirës së familjes, ceremonia e varrimit do të jetë privat dhe sipas dëshirës së shkrimtarit, eshtrat e tij do të digjen.

Ndër romanet e tij, “Qyteti dhe qentë” dhe “Shtëpia e gjelbër”. Me më shumë se 50 vepra në emrin e tij, Vargas Llosa fitoi Çmimin Nobel për Letërsinë në vitin 2010 kur anëtarët e jurisë e quajtën atë një “shkrimtar me dhunti hyjnore”.

Përshkrimet e tij të autoritarizmit, dhunës, duke përdorur gjuhë të pasur, e bënë atë një yll të lëvizjes letrare Boom të Amerikës Latine.

Në fillim, dashamirës ndaj ideve të krahut të majtë, ai u zhgënjye me kauzat revolucionare të Amerikës Latine, duke kandiduar, por pa sukses, për presidencën peruane me një parti të qendrës së djathtë në 1990.