N’vend se të ishte n’arrest shtëpiak, Bekim Mulolli nga Prishtina, ka vdek para rreth dhetë ditësh, në luftimet fetare në Siri.
Vdekjen e Bekimit e ka konfirmu familja Mulolli, e cila ndodhet, në lagjen Kodra e Trimave (Vranjevc) në Kryeqytet.
Familja e të vramit ka rrëfye për gazetën Express se djali i tyne asht vra “në tokën e Shamit” në Siri, para disa ditëve, përderisa trupi i tij ende nuk asht sjellë për me u varros në Prishtinë.
“Djali m’u ka vra qe nja 10 ditë në Sham” ka thanë plaka me lot në sy, që asht identifikue si nana e Bekimit, ndërkohë që biseda me të asht ndërpre mbas ndërhymjes së familjareve të cilat thanë se asht “amanet” i Bekim Mulollit për të mos folë me askand.
I vrami, Bekim Mulolli, do duhej t’ishte në Kosovë mbasi që asht pjesë e nji procesi gjyqësor të nisun kohë ma parë, ku akuzohej për organizim dhe pjesëmarrje në grupe të dyshueme terroriste dhe po ashtu për sulm dhe nxitje t’urrejtjes fetare.
Avokati i Bekimit, Mentor Neziri thotë se nuk asht në dijeni se klienti i tij ndodhej tash e disa muej jashtë vendit e as se ka perfundu i vramë.
Ai pretendon se ka kohë që nuk ka qenë në kontakt me Bekim Mulollin edhe pse vazhdon ta ketë klient.