Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka njoftuar se ka vdekur gazetarja ukrainase Olga Priadko, që po qëndronte në Kosovë në kuadër të programit “Gazetarët në Rezidencë – Kosova”.
Sipas njoftimit të AGK’së, 51-vjeçarja ka vdekur në banesën e saj, ku jetonte për më shumë se dy vjet me djalin e saj.
“Me dhimbje të thellë, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës njofton vdekjen e gazetares ukrainase, Olga Priadko, në moshën 51 vjeçare. Ajo ishte pjesë e programit “Gazetarët në Rezidencë – Kosova”. Zonja Priadko ka vdekur në banesën e saj në Prishtinë, ku jetonte për më shumë se 2 vjet me djalin e saj, Yaroslavin. AGK dhe Qendra Evropiane për Lirinë e Shtypit dhe Medias (ECPMF) shprehin ngushëllimet e tyre më të thella për familjen dhe miqtë e gazetares Priadko. Përkushtimi i saj në gazetari do të kujtohen dhe nderohen nga të gjithë ata që punuan me të”, thuhet në njoftim.