Shqipëria ka një shkallë vdekshmërie prej 3.2 vdekjesh nga COVID-19 për 100 mijë banorë sipas një analize që mban datën 11 nëntor, nivel që e rendit vendin tonë shumë poshtë shteteve fqinje të rajonit.
Sipas burimeve të Qendrës Europiane për parandalimin dhe kontrollin e swmundjeve dhe Eurostat, vdekshmërinë më të lartë e ka Republika Çeke me 26.1 vdekje për 100 mijë banorë, ndjekur nga Belgjika me 21.4.
Menjëherë pas këtyre shteteve, vijnë tre fqinje të Shqipërisë të cilat rezultojnë me shkallë të lartë fatalitetesh mes të prekurve nga COVID-19, raporton ATSh.
Bosnjë-Hercegovina e ka vdekshmërinë 14.4, Mali i Zi, 12.3 dhe Maqedonia e Veriut 12.1.
Bosnjë-Hercegovina regjistroi 30% të të gjitha vdekjeve me Covid-19 gjatë 2 javëve të fundit.
Kosova në analizën e shifrave rezulton se ka një vdekshmëri prej 6.3 vdekjesh për 100 mijë banorë dhe vendi me shkallën më të ulët të vdekshmërisë është Serbia me 1.7.
Si mund të krahasohen gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor (WB6) me 27 vendet anëtare të Bashkimit Europian në një numër kumulativ të vdekjeve nga Covid-19 për 100 000 banorë në 14 ditët e fundit?
Mesatarja e vdekjeve nga COVID-19 për 100 mijë banorë për dy javët e fundit qëndron në shifrat 6.6 për 27 vendet anëtare të BE-së dhe 6.4 për gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor.
Bosnjë-Hercegovina, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut janë mes pesë vendeve të para dhe mesatarja e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor është më e mirë sesa ajo e Bashkimit Europian./j.p/