Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar pas rasteve të fundit të vdekjeve nga Covid-19.
Ajo duke iu shpreh ngushëllime familjeve që humben më të dashurit e tyre, ka kërkuar nga Qeveria Hoti që mos ta mbajë më peng Ligjin për Parandalimin dhe Luftimin e Pandemisë Covid-19, të cilin e kanë iniciuar dhe hartuar në Kuvend qysh në prill.
Po ashtu ajo ka apeluar për respektim tëe masave, duke apeluar që të mos u besohet atyre që thonë se ky virus nuk ekziston.
Ky është postimi i saj i plotë në Facebook:
Sot ishte ditë e rëndë për Kosovën. Humbëm gjashtë jetë njerëzish nga virusi Covid-19. Jetët, edhe kur shtrëngohemi t’i përmbledhim në numra, nuk janë numra, sepse prapa secilës jetë, prapa secilës humbje, qëndron një histori njerëzore, qëndron dhimbja e prindërve për fëmijët e tyre ose e fëmijëve për prindërit dhe në fund dëshpërimi për humbjen e madhe.
Ngushëllime familjeve që humbën më të dashurit e tyre. Ndaj dhimbjen me secilën familje të prekur dhe lutem që të sëmurët nga virusi të shërohen sa më parë. Bëj thirrje edhe një herë që mbrojtja e të drejtës në jetë të vendoset prioritet mbi prioritetet, sepse as ekonomia e as fushat e tjera nuk do të mbijetojnë nëse nuk sigurojmë shëndetin e popullatës sonë. Qeveria duhet mos ta mbajë më peng Ligjin për Parandalimin dhe Luftimin e Pandemisë Covid-19, të cilin e kemi iniciuar dhe hartuar në Kuvend qysh në prill, por ta sjellë urgjentisht në mënyrë që të mund ta amandamentojmë dhe pastaj miratojmë. Ky ligj është posaçërisht i nevojshëm për t’i dhënë kompetenca shtesë organeve ligj-zbatuese në mënyrë që të ndërmerren masa strikte për parandalimin e pandemisë.
Ky virus vret. Mos u besoni atyre që thonë se nuk ekziston. Mos u besoni as atyre që e minimizojnë rrezikun. Prandaj të kujdesemi secili për veten e familjet tona duke mbajtur maska, distancë e higjienë./kp/