Vdekja e të riut nga Gjilani, Osmani: Kuvendi do të mbështesë çdo nismë për hetime të pavarura

E publikuar: 04/05/2020 23:37
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, me rastin e vdekjes tragjike të 26-vjeçarit Agon Musliu nga Gjilani, ka dërguar një telegram ngushëllimi familjes së të ndjerit, i cili në rrethana ende të panjohura kërceu dje nga kati i katërt i Qendrës së Studentëve në Prishtinë.

“Lajmin për humbjen e jetës së më të dashurit tuaj, Agonit, e kam pranuar me dhimbje të madhe. Prandaj, më lejoni që si qytetare e këtij vendi, si nënë dhe udhëheqëse e Kuvendit të Kosovës, ta ndaj me ju dhimbjen e thellë për vdekjen e parakohshme të tij”, thuhet në telegramin e ngushëllimit, të kryepalamentares Osmani.

Osmani ka thënë se vdekja e Agon Musliut është ngjarje e trishtuar në kohën me pandemi dhe shpreson se organet e drejtësisë do të punojnë në zbardhjen e shpejtë të rrethanave të kësaj vdekjeje tragjike.

“Si Kuvend i Kosovës ne do të mbështesim ҫdo nismë për hetim të pavarur e profesional, i cili do ta zbardhte përfundimisht gjithfarë që ka ndodhur me familjarin tuaj pas kthimit të tij në atdhe”, ka thënë Osmani.