Sot, partitë politike dikur të mëdha në Perëndim dhe në disa vende në zhvillim, duket se janë në rrugën drejt harresës. Por ndërsa rënia e PPSH ishte krejtësisht logjike – dekreti i Jelcinit erdhi vetëm disa muaj përpara shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik – rënia e partive të mëdha politike në vende si Franca dhe India, nuk është aq e lehtë për t’u shpjeguar.
Në Francë, presidenti Emmanuel Macron sapo ka siguruar një shumicë në Asamblenë Kombëtare Franceze për lëvizjen e tij vetëm 1-vjeçare, duke e hedhur Partinë Socialiste – me të cilën vetë Macron ishte i lidhur, kur shërbeu si ministër i ekonomisë – në koshin e plehërave të historisë, për të cilin fliste Trocki. Partia tjetër e madhe e Francës – republikanët e qendrës së djathtë, me rrënjë në trashëgiminë politike të Charles de Gaulle – nuk duket se është në gjendje shumë më të mirë.
Deri kohët e fundit, Partia Laburiste e Mbretërisë së Bashkuar, nën udhëheqjen e Jeremy Corbyn-it shumë të majtë, dukej se ishte në prag të zhdukjes. Por ajo duket se ka marrë “një pushim”, falë paaftësisë së dukshme të kryeministres konservatore Theresa May, gjatë fushatës së fundit parlamentare. Por nëse Corbyn do të jetë vërtetë në gjendje të bashkojë dhe ringjallë partinë e tij, kjo nuk është aspak e sigurtë.
Në botën në zhvillim, India po sheh rënien e Kongresit Kombëtar Indian, partisë së kryeministrit të parë të vendit, Javaharlal Nehru, i cili e udhëhoqi Indinë drejt pavarësisë nga Mbretëria e Bashkuar. Nën drejtimin e dobët të dinastisë së Sonia Gandhi (e veja e kryeministrit të vrarë Rajiv Gandhi, nipit të Nehru dhe djalit të kryeministrit Indira Gandhi) dhe djalit të saj Rahul, Kongresi tani duket i paaftë të ruajë vendet në bastionet e tij historike, si Uttari Pradesh. Në të vërtetë, kundërshtari kryesor i saj, Partia qeverisëse Bharatiya Janata, duket se ka “në xhep” tashmë, zgjedhjet parlamentare të vitit 2019.
Në Afrikën e Jugut, një tjetër parti e madhe e çlirimit kombëtar – Kongresi Kombëtar Afrikan, i cili ndihmoi për të sjellë rënien e aparteidit – po përballet me një kalbje të ngjashme. Vetëm 18 vjet pasi Nelson Mandela u largua nga presidenca, KKA po shkatërrohet nën udhëheqjen e keqe të presidentit Jacob Zuma. Një ndarje zyrtare midis fraksioneve rivale mund të ndodhë, kur KKA të zgjedhë një lider të ri në fund të këtij viti.
Natyrisht, partitë e mëdha politike kanë vdekur edhe më përpara. Në shekullin e nëntëmbëdhjetë dhe në fillim të shekullit të njëzetë, Partia Liberale, jo Laburiste, ishte rivali kryesor i Konservatorëve në Britaninë e Madhe, e cila lulëzoi nën udhëheqjen e figurave si Uilliam Gladstone dhe David Lloyd George. Megjithatë, ajo mori fund vetëm disa vjet pas Luftës së Parë Botërore, siç e ka përshkruar mjeshtërisht gazetari britanik i kthyer në historian, George Dangerfield në librin e tij “Vdekja e çuditshme e Anglisë liberale”.
Në Itali, partitë politike të pasluftës – Kristian-Demokratët, Komunistët dhe Socialistët – përjetuan një lloj “shfarosjeje masive” pas shpërthimit të skandalit të korrupsionit Tangentopoli, në vitin 1992. Vitin e ardhshëm, Partia konservatore e Kanadasë u zhduk praktikisht në zgjedhjet parlamentare, në të cilat i humbi të gjitha, përveç dy nga 151 vendet e saj.
Janë parashtruar shumë shpjegime për rënien e partive politike. Zhvendosja e votuesve të klasës punëtore, drejt klasës së mesme, ndikoi po aq shumë për të “vrarë” partitë komuniste të Evropës Perëndimore, sa edhe shembja e regjimit sovjetik.
Më gjerësisht, në vendet ku qeveritë e koalicionit përbëhen nga parti me ideologji të ngjashme, mund të jetë e lehtë për votuesit që të ndryshojnë besnikërinë e tyre. Kjo është veçanërisht e vërtetë në ditët e sotme, pasi votuesit gjithnjë e më shumë i shohin partitë si marka që mund të zëvendësohen, nëse nuk arrijnë të jenë në nivelin e shijeve të konsumatorit, dhe jo si pika qendrore të një besnikërie të padiskutueshme fisnore.
Për më tepër, votuesit në ditët e sotme kanë gjithnjë e më shumë gjasa të përqëndrohen në një ose dy politika kryesore, në vend se në të gjithë programin e një partie. Është kjo ideja që ka bërë të lulëzojnë parti të tilla, si Partia e Pavarësisë së Mbretërisë së Bashkuar (UKIP), e cila ka investuar fort në temën e emigracionit.
Përdorimi në rritje i referendumeve në demokracitë e zhvilluara në botë, duket një forcim i drejtpërdrejtë i kthesës drejt politikës së orientuar nga konsumatori. Problemi është se referendumi dëmton llogaridhënien, pasi mundëson vendime të këshilluara keq, të bazuar në pyetje të thjeshta, siç ishte rasti me votën e pamerituar të Brexit në Mbretërinë e Bashkuar.
Në situata të tilla, thoshte dikur me ironi dramaturgu Bertolt Brecht, e vetmja alternativë është të “shpërndahet populli dhe të zgjidhet një tjetër”.
Por, ndërkohë që votimi me mendimin e konsumatorëve shpjegon deri në një farë mase, rënien e partive si socialistët e Francës, ai nuk shpjegon rënien e Kongresit Kombëtar Indian dhe KKA. Problemet e tyre duket se i kanë rrënjët në arrogancë.
Për Kongresin Kombëtar të Indisë, kjo arrogancë është përgjithësisht e trashëgueshme. Nga Nehru tek Indira dhe Rajiv Gandhi, e deri tek fytyra aktuale e paaftë e partisë, Rahul, familja Gandhi ka parë udhëheqjen dhe kontrollin e Kongresit si një të drejtë të lindur, që nuk mund të tjetërsohet, pavarësisht aftësive ose kualifikimeve reale të individit.
Sa i përket KKA-së, arroganca e saj duket e shkaktuar nga një ndjesi se e ka “pronë” shtetin, gjë që e bën korrupsionin të duket si një formë e të drejtës zgjedhore. Arroganca e këtij lloji e shkëput një parti nga mbështetësit e saj realë, të cilët pastaj e kanë më të lehtë të kërkojnë dhe gjejnë një alternativë të besueshme.
Por, në politikë, vdekja nuk duhet të jetë e përhershme. Partia Revolucionare Institucionale e Meksikës (PRI), për shembull, qeverisi vendin për 71 vjet, përpara disfatës së saj në vitin 2000. Në atë kohë, u supozua se PRI nuk do të kthehej kurrë në pushtet. Megjithatë, deri në vitin 2012, ajo ia doli, me zgjedhjen e Presidentit aktual Enrique Peña Nieto.
Kjo mundësi mund të jetë arsyeja pse familja Gandhi dhe Zuma janë kaq të pashqetësuara për kalbjen e partive të tyre. Megjithatë, pyetja është nëse ajo gjë që rikthehet nga të vdekurit, mund të jetë përsëri ajo që ishte. / Bota.al -Project Syndicate – The Death of the Party