Kryeministri britanik Keir Starmer (Foto: FB)
Kryeministri britanik Keir Starmer sapo është deklaruar nga Berlini për vdekjen e Yahya Sinwar, pas takimit me liderët e SHBA-së, Francës dhe Gjermanisë.
Ai tha se “askush nuk duhet të vajtojë vdekjen” e liderit të Hamasit, i cili ka “gjakun e izraelitëve të pafajshëm” në duart e tij.
Starmer shtoi se Mbretëria e Bashkuar vazhdon të mbështesë të drejtën e Izraelit për vetëmbrojtje dhe se aleatët do të vazhdojnë të punojnë për të ulur tensionet në Lindjen e Mesme, shkruan skynews.
“Përgjigja është diplomacia dhe tani ne duhet të shfrytëzojmë sa më shumë këtë moment”, tha Starmer.
“Ajo që nevojitet tani është një armëpushim në Gaza, lirimi i menjëhershëm dhe i pakushtëzuar i të gjithë pengjeve, qasje e menjëhershme për ndihma humanitare dhe një kthim në rrugën drejt zgjidhjes me dy shtete si e vetmja mënyrë për të ofruar paqe dhe siguri afatgjatë”, vazhdoi kryeministri britanik.
Starmer theksoi gjithashtu nevojën për ndihmë humanitare për të arritur civilët në Gazën veriore dhe tha se Mbretëria e Bashkuar “nuk do të tolerojë më justifikime”.
“Civilët në Gazën veriore kanë nevojë për ushqim tani”, deklaroi ai duke shtuar se mbështet fuqimisht punën e bërë nga agjencia e ndihmës e OKB-së për refugjatët palestinezë, UNRWA.
Ndryshe, duke folur për konfliktin në Liban, Starmer bëri thirrje për zbatimin e një rezolute të OKB-së që do të lejonte komunitetet në Izraelin verior dhe në Libanin jugor të kthehen në shtëpitë e tyre.