Vdekja e Agon Zejnullahut, Hoxha: Të përdoren të gjitha burimet për ta zbardhur rastin

E publikuar: 11/07/2025 11:42
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo
Gazmend Hoxha

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, në ceremoninë e diplomimit të gjeneratës së 62-të të Policisë ka folur për rastin tragjik të ndodhur të dielën në Lipjan, ku një 27 vjeçar vdiq në duar të pesë zytartarë policorë.

Drejtori Hoxha ka kërkuar nga Inspektorati Policor i Kosovës, hetimet që kryhen brenda nga Policia dhe institucionet e tjera, që të përdorin të gjitha burimet e nevojshme për të hetuar rrethanat e vdekjes së Zejnullahut.

Hoxha: Të përdorin të gjitha burimet e nevojshme për të hetuar rrethanat e vdekjes së qytetarit tonë

“Humbja e një jete pavarësisht rrethanave është plotësisht tronditëse. Nga pozita e drejtorit të policisë ju garantojë që nuk do të lejojmë që në çfarëdo forme eventuale të ketë tejkalime të autorizimeve policore andaj kërkoj fuqishëm që inspektorati policor i Kosovës, hetimet tona të brendshme dhe institucionet tjera relevante të përdorin të gjitha burimet e nevojshme për të hetuar rrethanat e vdekjes së qytetarit tonë. Oficerët tanë hetues të Policisë së Kosovës janë urdhëruar që të bashkëpunojnë ngushtë me Inspektoratin Policor për të hetuar një pasqyrë të saktë të këtij rasti fatkeq. Do të ndërmarrë të gjitha veprimet ligjore bazuar në epilogun dhe rezultatet e një hetimi të plotë. Policia e Kosovës e mbanë uniformën me krenari, zbaton ligjin dhe mbron të gjithë qytetarët pa paragjykime. Nuk do të tolerojmë abuzime apo keqpërdorime të mundshme të autoritetit tonë”, tha Hoxha.

Ndërkaq, gjenerata e 62-të e Policisë së Republikës së Kosovës ka diplomuar sot, duke shënuar përfundimin e suksesshëm të trajnimit themelor. 279 kadetë të rinj i janë bashkuar Policisë së Kosovës.

Zëvendëskryeministr i Kosovës në detyrë, Besnik Bislimi tha se për 26 vite me radhë Policia e Kosovës shërbeu me përkushtim dhe integritet.

Siç tha ai të jesh pjesë e Policisë së Kovës është nder dhe krenari e lartë.

Ai iu drejtuar gjeneratës së 62-të duke u thënë se nga ta kërkohet të jenë syçelë, të disiplinuar dhe të përkushtuar.

Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Svecla tha se gjenerata e 62-të është mbështetja e vizionit të përbashkët për një polici profesionale që garanton rend dhe ligj, që respekton dhe mbronë qytetarët tanë.

Para kadetëve të rinj, ministri Sveçla u drejtua me mesazhin se detyra e tyre është të veprojnë me profesionalizëm dhe guxim, duke respektuar ligjin në çdo hap.

Ai theksoi se nga sot, kjo gjeneratë merr mbi vete përgjegjësinë për të përmbushur pritshmëritë e qytetarëve që kërkojnë rend, ligj dhe siguri.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha para kadetëve të rinj tha se kjo ditë shënon përkushtimin e tyre të parë formal për tu bërë pjesë e Policisë së Kosovës.

Zëdhënësi i Gjeneratës së 62-të të Policisë së Kosovës, Fatbardh Berisha ky moment është dëshmia dhe përkushtimi i përpjekjeve të tyre për të përmbushur me nder dhe dinjitet detyrat dhe përgjegjësitë që i presin.

Berisha në emër të Gjeneratës së 62-të tha se do të punojnë në ruajtjen e besimit që qytetarët kanë në Policinë e Kosovës.