Sot në Strasburg zhvillon punimet sesioni i dytë i Takimit të shtatë ndërparlamentar Parlamenti Evropian – Kosova, në të cilin po marrin pjesë eurodeputetë dhe një delegacion i gjerë nga Kosova, i kryesuar nga kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli.
Në ditën e dytë të takimit, kreu i Kuvendit të Kosovës, z. Veseli, do të flasë për bashkëpunimin rajonal, ndërsa për progresin e Kosovës drejt integrimit Evropian do të flasin nënkryetarja e PE-së, Ulrike Lunacek dhe ministri i Integrimeve Evropiane, Bekim Çollaku. Për Marrëveshjen Stabilizim-Asociim dhe përfshirja e Kosovës në Programet e BE-së, do të mbajë një fjalë kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme, Enver Hoxhaj. Për liberalizimin e vizave, ndërkaq, do të flasin eurodeputetët Tanja Fajon dhe Jozo Rados, nënkryetari i Kuvendit, Sabri Hamiti dhe kryetarja e Komisionit për Integrime Evropiane, Teuta Sahatqija, ndërsa për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, nënkryetari Xhavit Haliti dhe deputeti Pal Lekaj. Nënkryetarja tjetër e Kuvendit, Aida Dërguti, kryetari i Komisionit për Mbikëqyrjen e Agjencionit Kosovar për Inteligjencë, Haxhi Shala dhe anëtarja e Komisionit për Punë të Brendshme, Ganimete Musliu, do të flasin për luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar./tribuna/