Vazhdon procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së

E publikuar: 24/03/2025 08:27
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë sipas kalendarit sot do të vazhdojë procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Ndryshe deri në përfundim të intervistimit të dëshmitarëve të Prokurorisë janë edhe 10 seanca që janë paraparë sipas kalendarit të publikuar në faqen e Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë.

Më 4 prill do të përfundojnë dëshmitarët e Prokurorisë, në rastin e ish-krerëve të UÇK-së në Hagë. Kjo është bërë e ditur në konferencën e mbajtur më 19 shkurt në Gjykatën Speciale. Prokurorët thanë se kanë mbetur edhe 20 dëshmitarë, por që jo të gjithë do të dëshmojnë në Gjykatë.

“4 prill është data e fundit e parashikuar. Nuk do thërrasim asnjë dëshmitar pas kësaj date. Brenda 15 prillit do të dorëzojmë mocionet e fundit me shkrim, provat jo-gojore. Kjo është data që planifikojmë. Nuk do kemi dëshmitarë tjerë pas datës 4 prill”, tha prokurori Matt Halling.

Në çështjen gjyqësore të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, më 18 mars, Trupi Gjykues miratoi një kërkesë të Prokurorisë për pranimin e dëshmisë së një dëshmitari në formë të shkruar, ndërsa dëshmitari do të jetë në dispozicion për t’u marrë në pyetje nga pala jothirrëse.

Ndryshe, rasti gjyqësor ‘Hashim Thaçi dhe të tjerët’, filloi më 3 prill 2023 me deklaratat hyrëse të Prokurorit të Specializuar dhe të përfaqësuesit të viktimave, ndjekur nga ekipet e mbrojtjes më 4 dhe 5 prill 2023.

Kujtojmë se Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.