Partnerët e koalicionit qeverisës, Hashim Thaçi e Isa Mustafa vazhdojnë që të ndajnë të gjitha postet edhe në shërbimin diplomatik e konsullor, duke i mbushur me militantë partiak. Gazeta Blic ka raportuar gjatë ditës së djeshme se si Isa Mustafa, ish- drejtoreshën e tij në Komunën e Prishtinës, Nazane Breca si ambasadore në Zvicër. Megjithatë, ndarja e ambasadave duket se është bërë me marrëveshje politike ndërmjet dy udhëhqësve të koalicionit.
Gazeta Blic merr vesh se Hashim Thaçi ka vendosur që për ambasadore të Republikës së Kosovës në Zagreb ta çoj ish- këshilltaren e tij, Dhurata Sadiku- Hoxhën, e cila ishte edhe kandidate për deputete por që dështoi, duke mos marrë vota të mjaftueshme.
“Dhurata Sadiku- Hoxha është miratuar për ambasadore nga ana e Ministrisë së Punëve të Jashtme, dhe pritet që të bëhet vetëm dekretimi nga ana e Presidentes së vendit, Atifete Jahjaga”, tha një burim i Gazetës Blic brenda MPJ-së.
Ndërkohë, mediet kanë raportuar se PDK me post të ambasadorit pritet të shpërblej edhe ish- kryetarin e Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, i cili u akuzua nga ana e Bllokut LVAN, që gjatë krizës parlamentare në Kosovë, mori vendim në favor të partisë së Hashim Thaçit, duke e mbajtur kësisoj Në pushtet partinë e Thaçit.
Politizimi i diplomacisë kosovare është kritikuar në vazhdimësi nga mediet dhe nga shoqëria civile, mirëpo edhe qeveria Mustafa duket se është duke e vazhduar mentalitetin qeverisës të nisur nga ana e Qeverisë Thaçi para dy mandateve, ndonëse kryeministri aktual formal, kishte premtuar diplomaci profesionale e jo politike./ Gazeta Blic