Vazhdon politizimi i bordeve, në radhë ai i ZRRE-së

E publikuar: 19/01/2016 10:27
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Tre nga anëtarët e bordit të Zyës së Rregullatorit të Energjisë Elektrike (ZRRE), të emëruar nga Qeveria e Kosovës, vijnë nga dy partitë e koalicionit qeverisës.
Ish-kryetari i Gjilanit që vjen nga PDK-ja, Qemajl Mustafa, është zgjedhur anëtar i këtij bordi. Kurse nga LDK-ja Arsim Janova, ish-shef i “Termokos”-it, dhe Besim Sejfijaj anëtar i kryesisë së degës dhe anëtar i Kuvendit qendror të LDK-së.
Përfaqësues të OJQ-ve kanë shprehur shqetësimin e tyre në lidhje me këto vendime politike dhe, sipas tyre, të paligjshme të Qeverisë. Këta kanë kërkuar nga Qeveria e Kosovës që t’i rishikojë menjëherë dhe të shfuqizojë këto vendime. “Për ne si KOSID, emërimet politike në institucionin e Zyrës së Rregullatorit për Energji janë jo vetëm jo legjitime por edhe të paligjshme”, ka thënë Dardan Abazi.
Neni 5, pika 3.2 e Ligjit Nr. 03/L-185 për Rregullatorin e Energjisë kërkon që anëtarët e bordit të ZRRE-së të mos jenë anëtarë të partive politike. Gjithashtu, ligji kërkon njerëz me integritet dhe kompetencë në punën e tyre, njerëz profesionistë dhe të papërfshirë politikisht.