Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, ka vendosur të mos jetë pjesë në një “Grup Punues” të Ministrisë së Mbrojtjes, sepse siç thotë kjo thirrje “më shumë i ngjan një “urdhërese” administrative sesa një ftese për bashkëpunim të barabartë institucional”.
OVL UÇK deklaron se pas reagimit të tyre publik “për mospërfshirjen reale të kategorive të dala nga lufta në Këshillin për shënimin e Epopesë së UÇK-së, sot më 23.02.2026 në ora 10:37, pra vetëm pas reagimit tonë, Ministria e Mbrojtjes na ka dërguar një email për pjesëmarrje në një “Grup Punues””..
Tutje, në reagim thuhet se “me Vendimin e datës 20.02.2026, Qeveria ka themeluar Këshillin Shtetëror pa emëruar konkretisht përfaqësues të organizatave të dala nga lufta, duke lënë vetëm një formulim të përgjithshëm për “një anëtar””.
“Ky nuk është përfaqësim real, por formal dhe i vonuar”, vijon reagimi.
“Epopeja e UÇK-së, që lidhet me sakrificën e komandantit legjendar Adem Jashari dhe rënien heroike në Prekaz, nuk është aktivitet protokollar administrativ, ajo është themel moral dhe historik i shtetit të Kosovës”, thuhet tutje në reagim.


















