Vazhdon kaosi në Kuvendin e Shqipërisë

E publikuar: 04/12/2023 11:29
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Deputetët e opozitës janë përplasur me Gardën që në hyrje të Kuvendit të Shqipërisë, ndërsa tensionet janë rritur me nisjen e seancës plenare.

Seanca plenare e së hënës është mbyllur, me opozitën që shpërtheu me karrige të përmbysura dhe tymuese.

Deputeti i opozitës Flamur Noka shkaktoi tensione duke ndezur një tymuese, duke çuar në një reagim të menjëhershëm nga kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla.

Pas veprimit të tij, Noka u njoftua se ishte i përjashtuar nga seanca për shkelje të rëndë të rregullores së Kuvendit.

Konfliktet nuk munguan, dhe deputetët Albana Vokshi dhe Flamur Noka u përfshinë në një përleshje me punonjësit e Gardës edhe para foltores.

Ndërkohë që deputetët e mazhorancës vazhdonin fjalimet e tyre, deputetët opozitarë Gazment Bardhi dhe Edi Paloka tentuan të mbyllnin mikrofonin e deputetit të PS-së, Petro Koçi, duke e quajtur atë komunist.

Në një deklaratë për median, ish-kryeministri Sali Berisha akuzoi kryeministrin aktual, Edi Ramën, duke thënë se ka abuzuar me buxhetin e shtetit për përfitimet e tij personale.