Vazhdon gjyqi për Kumanovën, të akuzuarit alarmojnë dhunë

E publikuar: 06/10/2016 11:06
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Vazhdon sot procesi gjyqësor kundër Grupit të Kumanovës, ku në bankën e të akuzuarve do të ulen 37 të akuzuarit, për përfshirje në përleshjet e armatosura të 9 dhe 10 majit të vitit të kaluar në Lagjen e Trimave në Kumanovë.

Gjykimi do të vazhdojë në sallën e madhe të Gjykatës Supreme me procedurë dëshmuese. Kjo është seanca e dytë e hapur, pas dëgjimit të dëshmitarëve të mbrojtur.

Avokatët mbrojtës të të akuzuarve kanë alarmuar brutalitetin policor ndaj të arrestuarve sidomos në periudhën gjatë transportit të tyre nga burgu drejt gjykatës.

Shkupi edhe sot si çdo herë  kur mbahen seancat gjyqësore për këtë rast, u bllokua nga forca të shumta policore, të cilat pushtuan sidomos pjesët shqiptare të qytetit, nga QT “Mavrovka” deri te rruga për Kosovë.

Ngjarja “Lagja e Trimave” ndodhi më 9 maj në Kumanovë, ku gjatë përleshjes midis policisë dhe një grupi të armatosur, kryesisht ish-luftëtarë të UÇK-së, u vranë 8 policë dhe 10 pjesëtarë të grupit të armatosur.