Vazhdon forcimi i strukturave paralele serbe në Kosovë

E publikuar: 26/12/2015 00:06
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Serbia ka vazhduar forcimin e strukturave të saj paralele në Kosovë.

Zyra serbe për Kosovën, që udhëhiqet nga Marko Gjuriq ka njoftuar sot se e ka emëruar Zoran Stojkoviqin në krye të zyrës për rajonin e Anamoravës në Kosovë, me seli në Kllokot, raporton Interaktiv në KTV.

Stojkoviq do të bëjë koordinimin e funksionimit të institucioneve të Republikës së Serbisë në rajonin e Anamoravës. Ai ka qenë deri para pak ditësh kryetar i komunës paralele në Gjilanit.

Zyra e Anamoravës do të jetë përgjegjëse për Gjilanin, Novobërdën, Vitinë dhe Kamenicën. Zyra të tilla të strukturave paralele ka edhe në Mitrovicën Veriore, në Graçanicë dhe në Kralevë.

Ndërkohë, drejtori i Zyrës serbe për Kosovën, Marko Gjuriq, ka thënë se pas marrëveshjes për themelimin e Asociacionit të Komunave serbe në Kosovë, në tavolinën e negocimit duhet të vijnë për t’u sqaruar disa pyetje të tjera, përcjell koha.net. Ai ka përmendur këtu çështjen e Kishës Ortodokse Serbe, pronën publike dhe private serbe, personat e pagjetur, njohjen e diplomave universitare të Mitrovicës Veriore dhe çështje të tjera që kanë të bëjnë me komunitetin serb në Kosovë.