Vazhdon dëshminë ish-këshilltari i UNMIK-ut në rastin ndaj ish-krerëve të UÇK-së

E publikuar: 21/01/2025 08:32
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ish-këshilltari juridik i UNMIK-ut, Hansjeorg Strohmeyer ka dëshmuar dje në gjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së. Megjithatë dëshmia e tij pritet të vazhdojë edhe sot.

Në një deklaratë që u prezantua nga avokati i Thaçit, dëshmitari kishte thënë se nuk ka pas organizata tjera të strukturuara në Kosovë përveç UÇK-së dhe s’kishim negociata për çarmatim me të tjerë përveç atyre.

Dëshmitarit iu prezantua deklarata e një dëshmitari, konkretisht gjeneralit Mike Jackson në një proces gjyqësor në Angli në të cilën kishte përmendur një takim me Agim Çekun. Sipas deklaratës së gjeneralit, ai ishte takuar me Çekun për të parë nëse po respektoheshin pikat e marrëveshjes.

Dëshmitari tha se ka qenë për gjashtë javë në Kosovë dhe se situatat atje kanë ndryshuar shumë shpejt.

Vlen të theksohet se një pjesë e konsiderueshme e dëshmisë së Strohmeyer është dëgjuar në sesion privat për publikun me arsyetimin e ruajtjes së burimit të informacionit.