
Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa ka thënë se me buxhetin e vitit 2016 do të rrisin ekonominë dhe do të krijojnë mundësi për [punësim të ri.
Ai tha se për vitin e ardhshëm parashohin që të ketë buxhet afër 2 miliardë euro.
“Si Qeveri kemi përcaktuar zhvillimin ekonomik, punësimin, luftën kundër evazionit fiskal., integrimin dhe të gjitha këto do t’i mbështesim me këtë buxhet”, tha ai.
Ndërsa ministri i Financave, Avdullah Hoti duke prezantuar projektligjin për buxhetin e Kosovës për vitin 2016, tha se kanë paraparë që ngritja buxhetore të jetë 3.8 % që është rritja më e lartë në rajon.
Ai tha se kanë akomoduar obligimet si shtet që janë 6 milionë por kanë rritur buxhetin për FSK-në.
“Rreth 22 % që shkojnë për zhvillimin ekonomik, 22 në çështjet sociale”, tha Hoti.
Me këtë projektbuxhet deri më tani nuk pajtohen grupi 6+, ata kanë deklaruar se nuk janë të kënaqur me ndarjet buxhetore.
E deputeti Muhamet Mustafa ka thënë se nuk është i kënaqur me këtë projektligj.
Ai ka shpjeguar se çfarë duhet bërë dhe ku duhet ndryshuar qasja.
“Kërkoj që kryeministri të formojë një ekip të fortë për çështjet makroekonomike”, tha Mustafa.
Ndërkohë, me 79 vota për, deputetët kanë votuar për shmangien e rregullores për projektligjin për buxhetin e Kosovës. / Lajmi.net