Bastisja në shtëpinë e ish-ministrit të Drejtësisë, Hajredin Kuçi.
Zyra e Prokurorit të Specializuar është duke vazhduar bastisjen në shtëpinë e ish-ministrit të Drejtësisë, Hajredin Kuçi, që nga orët e mesditës së sotme.
Bastisja po zhvillohet në lagjen e njohur si “Lagjja e Profesorëve”, pranë Fakultetit Teknik në Prishtinë.
Perimetri rreth shtëpisë është siguruar nga forca policore.
ZPS-ja të enjten ka konfirmuar se po kryen operacione në Kosovë, por nuk ka dhënë detaje lidhur me personat e arrestuar.
“Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) po kryen operacione në vazhdimësi në Kosovë në një proces hetimor që përqendrohet në vepra penale kundër administrimit të drejtësisë. Operacionet e ZPS-së janë autorizuar nga ana gjyqësore prej Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK) dhe janë mbështetur nga Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX)”, thuhet në komunikatën e Zyrës së Prokurorit të Specializuar.
Ndërkaq gjatë ditës, mbi dyshimet për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, Gjykata Speciale ka arrestuar ish-komandantin e UÇK-së, Isni Kilajn, ish-shefin e Agjencisë Kosovare për Inteligjencë Bashkim Smakaj, dhe vëllanë e Fahri dhe Bahri Fazliut, Fadilin.