Edhe gjatë javëve të ardhshme do të vazhdohet me gërmimet në lokacionin e Kizhevak të Serbisë, për gjetjen e mbetjeve mortore të shqiptarëve të vrarë gjatë kohës së luftës në Kosovë nga serbët.
Kështu ka bërë të ditur për KosovaPress udhëheqësi i Zyrës në Komisionin qeveritar për të pagjeturit, Kushtrim Gara.
Ai ka thënë se në këtë lokacion ka qenë të fokusuar për të gjetur varreza masive nga viti 2015, ku më pas edhe janë gjetur mbetjet e para mortore. Megjithatë, ai nuk ka dashur të japë detaje nga gjetjet e deritanishme për shkak të ndjeshmërisë për familjarët e personave të pagjetur.
“Gërmimet do të vazhdojnë edhe nesër, dhe në javën e ardhshme pra nga e hëna. Fillimisht ka qenë saktësimi i saktë i varrezës masive në këtë lokacion, pastaj vazhdohet me punën e nevojshme, në kuptimin e gërmimeve, zhvarrosjes së mbetjeve mortore që do të gjenden dhe janë procedurat tjera mjeko-ligjore në kuptimin e ekzaminimeve të mëtutjeshme dhe dërgimin e mostrave për analize të ADN-së në Komisionin ndërkombëtar për persona të zhdukur. Më 16 nëntor të këtij viti është hasur në mbetjet e para mortore dhe pas përgatitjeve logjistike, nga data 30 nëntor kanë vazhduar gërmimet vlerësuese dhe sigurisht që ato do të vazhdojnë edhe në javët në vijim, dhe është pak herët të flitet për numrin e viktimave që mund të jenë në këtë lokacion. Për hir të procesit, për shkak të ndjeshmërisë që ka procesi dhe për hir të familjarëve do të jemi të kujdesshëm në interpretimin e termave statistikor derisa nuk përfundojnë të gjitha procedurat e nevojshme mjekoligjore”, ka thënë Gara.
Gara ka thënë se Kizhevak është varreza e pestë masive në territorin e Serbisë, por ka edhe disa lokacione të tjera të cilat janë proceduar me kërkesë zyrtare për delegacionin e Serbisë dhe ndërkombëtarët që janë pjesë e këtij procesi, për të parë se si mund të vazhdohet për gërmimet në këto lokacione.
“Ka edhe një sërë lokacionesh, tani më të shënuara në territorin e Serbisë, në këtë rast në regjionin e Rashkës dhe regjionin e Novi Pazarit, disa prej këtyre lokacioneve tani më janë vizituar siç është lokacioni afër të minierës së Shtavallit afër Sjenicës apo lokacioni në Kozarela dhe lokacionet tjera në regjionin e Rashkës apo në regjionin e Novi Pazarit. Një pjesë e këtyre rasteve janë proceduar edhe më kërkese zyrtare për delegacionin e Serbisë, përmes delegacionit të Kosovës në kuadër të grupit punues. Jemi në komunikim edhe me partnerët ndërkombëtarë që janë pjesë e procesit, për të parë si mund të vazhdohet më tutje edhe në këto lokacione, përkatësisht të zhvillohen gërmimet e nevojshme vlerësuese dhe pastaj të shohim cili do të jetë rezultati”, ka thënë Gara.
Ndërsa thotë se në fillim të muajit dhjetor, në Kizhevak të Serbisë ishte i pranishëm edhe delegacioni i Kosovës për t’i përcjellë gërmimet që janë duke u bërë.
“Delegacioni i Kosovës ka qenë në një vizitë të realizuar më 4 dhjetor. Në këtë rast delegacioni është përbërë nga kryetari i delegacionit të Kosovës në kuadër të Grupit punues për persona të zhdukur, Ibrahim Makolli, kryesuesi qeveritar për persona të zhdukur, por edhe këshilltari i kryeministrit të Kosovës, Ramë Manaj, drejtori i Institutit të Mjekësisë Ligjore, Arsim Gërgjaliu dhe Kushtrim Gara. Është me rëndësi të theksohet se edhe të premten, por edhe gjatë tërë javës të pranishëm në lokacion, në përcjellje të punës që është duke u bërë, kanë qenë edhe dy ekspertë mjeko-ligjorë të Republikës së Kosovës, Musa Gashi dhe Driton Haliti”, ka thënë Gara.
Ai ka thënë se për shkak të kushteve atmosferike, nuk përjashtohet mundësia të ketë edhe ndonjë ndërprerje eventuale të gërmimeve, por ato do të vazhdojnë deri në momentin kur të arrihet të trajtohet tërë hapësira e varrezës masive dhe të zhvarrosën të gjitha pjesët mortore.
Departamenti i Krimeve të Luftës i Gjykatës së Lartë në Beograd, më 18 nëntor, ka lëshuar një urdhër për zhvarrosjen e një numri të paidentifikuar kufomash në një varrezë masive në Krizhevak të Komunës së Rashkës.
Më 16 nëntor, drejtori i Institutit të Mjekësisë Ligjore në Prishtinë, Arsim Gërxhaliu, pati konfirmuar se në varrezën masive në Krizhevak dyshohet se gjenden mbetjet mortore të shqiptarëve të Kosovës.
Sipas Fondit për të Drejtën Humanitare në bazë të raportit të Zyrës së UNMIK-ut për Personat e Zhdukur dhe Mjekësi Ligjore, të cilat gjenden gjithashtu në bazën e të dhënave të organizatës Nisma Rinore për të Drejtat e Njeriut (YIHR), që nga viti 2001, në Serbi në katër lokacione janë zbuluar varreza masive me trupat e 941 shqiptarëve të vrarë në Kosovë më 1999.
Sipas të dhënave të YIHR-it, në Batajnicë afër Beogradit që nga viti 2001 janë zbuluar 744 trupa të shqiptarëve të Kosovës, në Petrovo Selo në Serbinë Verilindore 61 trupa, afër Liqenit Peruqac në Serbinë Perëndimore 84 trupa, ndërsa eshtrat e para në varrezën masive të Rudnicës në Serbinë Jugperëndimore u gjetën më 13 dhjetor 2013. Kosova vazhdon t’i ketë mbi 1.600 persona, për fatin e të cilëve nuk dihet asgjë që nga periudha e luftës. /B.Hajdari/