Njëri nga tri lokacionet në kampusin e Universitetit të Prishtinës, është gërmuar gjatë ditës së mërkurë dhe nuk janë gjetur gjurmë të varreve të mundshme, ka bërë të ditur për Radion Evropa e Lirë, kryetari i Komisionit për persona të pagjetur, Prenk Gjetaj.
Punimet në gërmimin për varrezën e dyshuar në kampusin e Universitetit të Prishtinës kanë vazhduar edhe ditën e enjte, në lokacionin e dytë brenda kampusit.
“Punimet vazhdojnë gjithnjë deri sa të mos hetohet i gjithë terreni”, tha Gjetaj. Sipas tij ekipet janë të angazhuara deri në ora 16 për të hetuar lokacionet e dyshuara.
Gërmimet në kampusin e UP-së, filluan më 13 Korrik me kërkesën e Prokurorisë Speciale të Kosovës, pas mbledhjes së informacioneve nga dëshmitarët. Dyshohet për viktima të përkatësisë shqiptare që, sic thuhet, mund të jenë varrosur në brendi të kampusit në periudhën e luftës në Kosovë.
Në fillimin e gërmimeve mori pjesë edhe një delegacion i Serbisë për personat e pagjetur. (REL)