Debati për zgjatjen e misionit të Bundeswehr-it në Kosovë tregoi se sa të ndara janë partitë parlamentare gjermane për misionin dhe politikën ndaj Kosovës. Nga njëra anë e majta dhe e djathta ekstreme, nga ana tjetër pjesa tjetër e Bundestagut.
Në fakt, vendimi i Bundestag-ut për vazhdimin e misionit të forcave të armatosura gjermane si pjesë e misionit ndërkombëtar të KFOR-it në Kosovë, është gjë e përfunduar. Qeveria gjermane mori një vendim për zgjatjen e misionit më 3 maj dhe konfirmimi nga Bundestagu, në të cilin partitë e koalicionit qeverisës social-demokrat-gjelbër-liberal kanë shumicën, është i sigurt. Përveç kësaj, propozimi i qeverisë për zgjatjen e afatit mbështetet nga grupi më i madh parlamentar opozitar, Demokristianët. Pra, votimi në lexim të dytë brenda dy javësh është thjesht një formalitet, raporton DW në gjuhën serbo-kroate, transmeton Klankosova.tv.
AfD: Mbështetje për “shtetin mafioz”
Por për vëzhguesit e skenës politike gjermane, diskutimi i sotëm është interesant sepse konfirmoi edhe një herë afërsinë ideologjike të ekstremit të majtë dhe të djathtës ekstreme, të paktën kur bëhet fjalë për politikën e jashtme. Kështu, për Markus Frohnmaier, përfaqësues i Alternativës për Gjermaninë (AfD) populiste të djathtë, zgjatja e misionit të Bundeswehr-it në Kosovë është një “dështim i plotë” sepse shërben për të mbrojtur shtetin, i cili “përshkohet nga strukturat mafioze”.
Se AfD-ja nuk e konsideron Kosovën shtet, por “krijesë të bazuar në krimin e organizuar”, dihet prej kohësh, ndër të tjera, edhe nga deklaratat që zëdhënësi i politikës së jashtme të AfD-së, Armin-Paul Hampel, i bëri disa vite më parë për DW. Paraqitja e politikanëve të AfD-së sot vetëm sa i çimentoi këto pikëpamje.
Frohnmaier vuri në dukje “spastrimin etnik të popullatës serbe” në Kosovë nga shqiptarët, i cili “u krye me praninë e KFOR-it” në vitin 2004. “Një çerek shekulli i misionit në Kosovë është një ndërmarrje e dështuar, pranoje një herë”, tha raportuesi i AfD për Ballkanin Perëndimor, Frohnmaier. Ai nuk la pa përmendur si një nga arsyet e gjendjes aktuale në Kosovë edhe “sulmin ndaj Jugosllavisë në vitin 1999 pa mandat të OKB-së”.
Pak më vonë, ish-kolegu i partisë së Frohnmaier dhe ish-anëtari i Partisë Komuniste Gjermane (DKP) (tani nuk i përket asnjë grupi parlamentar) Robert Farle foli për sulmin e NATO-s në Jugosllavi dhe me të njëjtën frymë vazhdoi duke thënë se Perëndimi sot dëshiron që të “shkatërrojë Kremlinin”. Farle vazhdoi me fjalimin e tij edhe pasi nënkryetarja e Bundestagut, Petra Pau (E Majtë), e përzuri nga podiumi.
E majta: Serbët në Kosovë janë të frikësuar për jetën
Zgjatjen e misionit të Bundeswehr-it me bombardimet e NATO-s në 1999 e lidhi edhe përfaqësuesja e së Majtës dhe zëdhënësja e partisë së saj për Ballkanin Perëndimor, Zhaklin Nastiq. Ajo konkludoi se në Kosovë (duke e përdorur vazhdimisht termin Kosovë dhe Metohi) nuk ka mbrojtje për pjesëtarët e pakicave, gjegjësisht për serbët dhe romët.
Si dëshmi, ajo deklaroi se polici (pretendon rrejshëm se personi që i ka plagosur dy të rinjtë serbë në Shtërpcë është polic: ai ka qenë pjesëtar i FSK-së – shën.red.) që hapi zjarr ndaj pjesëtarëve të minoritetit serb në Krishtlindjet Ortodokse nuk është dënuar deri më sot. Ajo përmendi gjithashtu ndërhyrjen e NATO-s në vitin 1999 si “burimin e gjithë të keqes që po ndodh tani në Kosovë”.
Rusët duan një konflikt në Ballkan
Krejt ndryshe tingëllonin prezantimet e përfaqësuesve të partive të koalicionit qeverisës, por edhe të opozitës Demokristiane. Ata, nga ana e tyre, argumentuan për zgjerimin e misionit si kuptimplotë dhe të justifikuar.
“Kam qenë në Kosovë dhe kam parë se njerëzit janë mirënjohës për kontributin e ushtarëve të Bundeswehr-it për sigurinë dhe stabilizimin”, tha Boris Mijatoviq, një politikan nga partia e Të Gjelbërve. Ai gjithashtu vuri në dukje situatën e re të sigurisë në Evropë pas sulmit të Rusisë ndaj Ukrainës. “Putinit i intereson jostabiliteti në Kosovë, prandaj është shumë i nevojshëm vazhdimi i misionit”, ka thënë Mijatoviq.
Narrativa për dëshirën e presidentit rus Vladimir Putin për të shkaktuar destabilitet përmes konflikteve në veri të Kosovës u mor edhe nga folës të tjerë nga partitë që mbështesin zgjatjen e misionit. “Paqja aktuale në kufirin mes Serbisë dhe Kosovës nuk duhet të na mashtrojë”, tha përfaqësuesi i Unionit Kristian Demokrat (CDU), Peter Beyer. Në të njëjtën kohë ai kritikoi Bashkimin Evropian për politikën e tij ndaj Kosovës dhe faktin që pesë shtete të tjera anëtare nuk e njohën këtë vend, transmeton Klankosova.tv.
Kritika për mos formimin e Asociacionit
Në të njëjtën kohë, ai kritikoi qeverinë e Kosovës se nuk është pajtuar për krijimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, gjë që e konsideron si “shkelje të marrëveshjes”.
Përfaqësuesi i Partisë Socialdemokrate të Gjermanisë (SPD), Josip Juratoviq, përsëriti qëndrimin se Gjermania duhet të ndihmojë demokratët dhe të parandalojë përhapjen e forcave autokratike në rajon, ku zgjatja e mandatit të Bundeswehr-it është një nga elementet e një politike të tillë.
Në seancë pas dy javësh pritet votimi për vazhdimin dhe thuhet se zgjatja është e sigurt. Mandati lejon dërgimin e deri në 400 ushtarë të Bundeswehr-it në Kosovë, por aktualisht janë rreth 70 ushtarë gjermanë në KFOR dhe nuk janë planifikuar ndryshime. Ushtarët e Bundeswehr-it janë në Kosovë që nga qershori i vitit 1999. Përveç paqeruajtjes, mandati përfshin edhe mbështetjen për formimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) si një “organizatë sigurie shumë-etnike e kontrolluar në mënyrë demokratike”. Kostot për 12 muajt e ardhshëm llogariten në 6.1 milionë euro. /Klankosova.tv