Kryetari i Grupit të LSI, Petrit Vasili, e ka shigjetuar ashpër Kryeministrin Edi Rama për paditurinë e tij dhe sidomos të ashtuquajtuarën aleancë që Rama pretendon të bëjë me qytetarët e që deri më sot, mbi 4 vjet rrjesht, e kishte anashkaluar. Vasili i është referuar prezantimit të portalit “Shqipëria që duam” nga Kryeministri, si lidhja e qytetarëve me qeverinë.
“Ky kryeministri na thotë që as “ushtria” që ka në Kryeministri nuk i paska kthyer përgjigje hiç, ankesave dhe kërkesave të qytetarëve. – shkruan Vasili në Fb. – Po kush i ndali?! Po milionat e harxhuara për platformën?! Po qindra rroga për vegjetuesit komentatorë brenda Kryeministrisë?! Po ky vetë, ku ka qënë, ku ka vegjetuar tërë këto vite, që s’i paska pare vartësit se si nuk ja varin hiç popullit?Po timonin a e kishte vetë?Po aleancen me popullin, që e paska perbuzur po vetë, a do ta bëjë?
Shume pyetje këto, edhe të vështira shumë për shkollëpaktin. Nesër do të thotë edhe për këtë ndonjë budallëk tjeter, siç bëri me TVSH-në e biznesit të vogël, që ca ditë kur e vuri tha e ç’nuk tha, pastaj kur e hoqi – e qepi gojën.
Ç’ të bëjë tjetër kur nuk kupton?! E thjeshte fare: Lexon e thotë vetëm ç’ti shkruajnë. Lum ata ministra, që tallen me të,”përfundon me ironi, Vasili.


















