Ish-deputetja e Kuvendit të Kosovës, Vasfije Krasniqi, ka reaguar ndaj montazheve që po qarkullojnë në rrjete sociale, duke theksuar se institucionet nuk duhet të heshtin para manipulimeve të tilla.
Ajo ka komentuar veçanërisht një montazh të publikuar ndaj presidentes së vendit, Vjosa Osmani.
Sipas saj, shpërndarja e qëllimshme e fotografive të manipuluara nuk mund të arsyetohet si kritikë apo opinion publik, por përbën një akt të dëmshëm ndaj figurave shtetërore dhe vetë qytetarëve.
“Shteti dhe e vërteta s’duhet me hesht para këtyre manipulimeve. Ky s’mund të quhet as kritik, as analist, as qytetar i përgjegjshëm”, ka shkruar ajo ndër të tjera.

Reagimi i plotë i Vasfije Krasniqit:
“Si është e mundur që një njeri që njihet për fotot montazh, për mashtrime vizuale dhe shpifje publike, tash paska guximin të merret me Presidenten Vjosa Osmani?
E njëjta dorë që dikur kërcënonte Albin Kurtin, sot prodhon montazhe të ulëta për të sulmuar figurën më të lartë shtetërore.
Dhe e din çka është më keq?
E din që fotoja është montazh. E din që është manipulim. Por e ndot publikun me të, vetëm që ta ushqejë urrejtjen e vet të vjetër.
Kjo nuk është liri e shprehjes. Kjo është ligësi. Sojit të Nuredinëve.
Po i njohim tashmë.
Janë ata që s’i duan as shtetin, as institucionet, as kombin.
Ata që për një klikim janë gati me shkel mbi dinjitetin e vet dhe të tjerëve.
Shteti dhe e vërteta s’duhet me hesht para këtyre manipulimeve.
Ky s’mund të quhet as kritik, as analist, as qytetar i përgjegjshëm.
Ky është thjesht një shembull se ku mund të përfundojë një shpirt i mjerë kur ia shet moralin urrejtjes”.















