Vasfije Krasniqi-Goodman mes emocionesh iu drejtua Kuvendit të Kosovës, në seancën e veçantë për Ditën Ndërkombëtare të Gruas kushtuar të mbijetuarave të dhunës seksuale.
Fjalimin e saj ajo e nisi me falënderime për dedikimin e kësaj seance, duke vazhduar për te treguar vështirësitë dhe stigmatizimin që përjeton kjo kategori e shoqërisë.
“Tashmë ju e dini historinë time sepse kam pasur rastin të flas nëpër vende të ndryshme të botës, duke e treguar të vërtetën. Por, asnjëherë nuk jam ndjerë, siç ndihem sot këtu në Kosovë”.
“Ndihem mirë kur e di që ka familjarë që i mbrojnë anëtaret e tyre të familjes, që ka burra që i mbrojnë gratë e tyre. Por, ndihem më shumë keq kur e di se familjarët nuk i mbrojnë dhe nuk i përkrahin vajzat, nënat, motrat dhe gratë e tyre, kur iu thonë fjalë që unë këtu as nuk mundem t’i përmend, kur shoh me çka ballafaqohen ato”.
Mes lotësh Vasfija kritikoi qasjen e shoqërisë kosovare karshi viktimave të dhunës seksuale, duke treguar se sa shumë lëndon një gjë e tillë.
“Duhet t’ju vijë turp të gjithëve, të gjithë shoqërisë kosovare që po na viktimizoni çdo ditë. S’duam asgjë prej shtetit, veç drejtësi. Ndërsa nga familjarët duam mbrojtje dhe mbështetje”.
“Çka na ka ndodhur neve ishte krim lufte, e ju nuk ishit aty të na mbronit”.
“Gjithnjë kam dëgjuar të thonë se ‘Vasfija e ka lehtë sepse e ka burrin amerikan’. Po e kam dhe jam krenare sepse me përkrahë në misionin që kam ndërmarrë. Por mos harroni vëllai im është këtu. Ai ballafaqohet me atë çka thonë njerëzit dhe ai mundohet çdo ditë që unë ta kem një jetë më të mirë, që edhe vajzat, nënat dhe gratë tjera, të cilat ai i quan motra, ta kenë një jetë më të mirë”.
“Duhet të ndryshoni. Që 20 vjet boll ju kemi duru. Më s’ju durojmë dhe nuk ua falim për atë që na keni bërë ta përjetojmë. Krimet e luftës duhet t’i merrni seriozisht. Boll ke ma që 20 vjet mos me u dënu askush!”.
Vasfija, e guximshme si gjithmonë, premtoi se do ta vazhdojë luftën për drejtësi për të gjitha gratë e përdhunuara gjatë lufës së fundit në Kosovë, përderisa kërkoi sa më shumë pune dhe seriozitet nga institucionet kosovare në këtë drejtim.
















