Komisioneri i BE-së për Zgjerim dhe Fqinjësi, Oliver Varhelyi, pas takimit me presidenten Vjosa Osmani, është takuar edhe me kryeministrin Albin Kurti dhe kabinetin e tij qeveritar.
Për këtë takim ka shkruar Varhelyi në një postim në Twitter, duke theksuar temat për të cilat kanë biseduar.
“Diskutim i hapur me kryeministrin Albin Kurti, zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi dhe anëtarët e kabinetit [qeveritar] mbi progresin e rrugës europiane të Kosovës. BE-ja po ofron mbështetje të madhe për zhvillimin ekonomik të lidhur me zbatimin e mëtejshëm të reformave dhe zbatimin e marrëveshjes së dialogut, duke përfshirë Asociacionin e komunave me shumicë serbe”, tha ai.
Në konferencën e përbashkët që pati më herët me Osmanin, Varhelyi tha se presin që marrëveshja Kosovë-Serbi të zbatohet pa kushte.
“Është bërë progres në vitin e kaluar. Tash është esenciale që të dyja palët t’i zbatojnë të gjitha obligimet pa vonesa, sepse duhet ta shfrytëzojmë momentumin. Të ecim para me zbatimin e marrëveshjes sa më parë dhe të zbatohen pa kushte”, tha ai, duke përmendur edhe konkluzat e Këshillit Europian.
Open discussion w/ PM @albinkurti, DPM @BislimiBesnik & members of cabinet on #Kosovo progress on 🇪🇺path.
EU is offering major support to econ dev linked to further implementation of reforms & implementation of the dialogue agreement, incl assoc. of Serb majority municipalities. pic.twitter.com/4gLTbj1FlV— Oliver Varhelyi (@OliverVarhelyi) May 25, 2023