Vargu i shkeljeve nga Komuna e Kaçanikut sipas Auditorit

E publikuar: 16/06/2018 08:40
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Komuna e Kaçanikut nuk ka arritur të realizoj buxhetin për investime kapitale sipas planit dhe projekteve të synuara për vitin 2017. Kështu thuhet në vlerësimin e Zyrës Kombëtare të Auditimit për komunën e Kaçanikut.

“Nga projektet të parapara me Programin për Investime Publike, 17 prej tyre në vlerë 97 mijë euro, nuk kishin filluar së zbatuari. Kjo ka shkaktuar një ulje të performancës ndaj shpenzimeve në total. Gjithashtu shkaktarë të ekzekutimit të ulët janë edhe vonesat në realizim të kontratave, që ndërlidhen kryesisht me dinamikën e realizimit të projekteve nga operatorët ekonomik”, thuhet në vlerësimin e Auditorit.

Auditori ka gjetur se komuna e Kaçanikut ka lëshuar leje ndërtimi për aplikuesit pa paraqitur dëshmi për pagesën e taksës së lejes ndërtimore.

“Gjatë testimeve, ne kemi identifikuar se aplikuesit për leje të ndërtimit me nr. të protokollit: 06-352-7875/17 ju ka mundësuar pagesa me dy këste, me anë të një vendimi të lëshuar nga Drejtoria e Urbanizmit në Komunë. Pas pagesës se këstit të I–rë i njëjti ka marrë vendimin e lejes së ndërtimit, derisa kishte mbetur obligim për këstin e II-të në vlerë 3,904 euro”, thuhet në raport të Auditorit.

Komuna e Kaçanikut ka bërë pagesa në mungesë të dëshmive të kontrata për sigurimin fizik të objekteve.

“Sipas kontratës për sigurimin fizik te objekteve komunale, një ndër kushtet e kontraktuara ishte angazhimi i 13 të punësuarve nga Operatori Ekonomik dhe paga e tyre mujore te jetë 200 euro neto. Gjatë auditimit të pagesës për muajin shkurt 2017, ne nuk kemi vërejtur se pagesa kishte të bashkangjitur dëshmi nga OE lidhur me numrin e punëtoreve të angazhuar dhe shumën e pagesës mujore, referuar në kushtet e kontratës”, thuhet në vlerësimin e Auditimit.

Auditori ka gjetur poashtu se komuna ka dhënë me qira pronat komunale për shfrytëzim të përkohshëm, mirëpo niveli i inkasimit të tyre është shumë i ulët.

“Nga të hyrat e planifikuara nga shfrytëzimi i pronës publike në shumë prej 30 mijë euro ishin inkasuar vetëm 16 mijë e 159 euro apo 54%. Nga testimi i pesë shfrytëzueseve, kemi gjetur se komuna kishte vazhduar kontratat me qiramarrësit e pronës publike, edhe pse qiramarrësit nuk kishin kryer obligimet paraprake në shumë prej 24 mijë e 899 euro”, thuhet në raport të Auditorit.

Komuna e Kaçanikut e cila drejtohet për shumë vite nga kryetari Besim Ilazi nga PDK-ja, është vlerësuar të ketë mungesë të menaxherit të kontratës dhe personave të autorizuar për pranim të furnizimit me karburante.

“Komuna nuk ka arritur të zbatoj udhëzimet e prokurimit për shkak të mungesës së mbikëqyrjes efektive menaxheriale. Mungesa e menaxherit të kontratës dhe e listës se personave të autorizuar për pranim të furnizimit me karburante mund të ketë rrezik lidhur me zbatimin e kushteve të kontraktuara gjatë furnizimit me karburante”, thuhet në raport.

E përveç kësaj, komuna e Kaçanikut sipas Auditorit nuk ka as plan të menaxhimit të kontratave.

“Në pesë dosje të testuara të tenderëve, kemi vërejtur se komuna nuk kishte përgatitur një plan për menaxhimin e kontratave. Mungesa e planit të menaxhimit të kontratave rrit rrezikun e mos monitorimit të aktiviteteve të kontraktuara dhe të drejtave tjera të autoritetit kontraktues për t`u ushtruar në mënyrë efektive”, thuhet në të gjeturat e Auditorit.

Kaçaniku nuk ka arritur të zbatojë as rekomandimet e Auditorit të Përgjithshëm nga viti paraprak dhe nga viti i mëhershëm.