Varet nga pala serbe se a do të shkojë Thaçi në Beograd

E publikuar: 15/04/2015 18:05
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Petrit Selimi, zëvendësministër i Punëve të Jashtme të Kosovës, ka thënë se shefi i diplomacisë kosovare, Hashim Thaçi, ka pranuar ftesën e OJQ-së “Ambasadorët e Paqes” për të marrë pjesë në një konferencë që do të organizohet në Beograd.

Ai ka thënë se tani varet krejtësisht nga pala nikoqire serbe nëse Thaçi do ta vizitojë kryeqytetin serb apo jo.

“Ne e kemi një ftesë për një konferencë të një OJQ-je dhe ju kemi përgjigjur pozitivisht ftesës. Tani mbetet te pala vendase se a do ta vizitojë Hashim Thaçi kryeqytetin serb. Edhe pse Ivica Daciq thotë se nuk ka informata, ambasadori jonë në Beograd ia ka konfirmuar diplomacisë serbe se diplomati kosovar do ta vizitojë Beogradin zyrtar”, ka thënë Selimi në Klan Kosova, transmeton Telegrafi.

Selimi ka thënë se kjo nuk do të thotë se ka takime bilaterale mes shtetit kosovar dhe serb, por për një takim që për temë do ta ketë paqen në Ballkan.

Kujtojmë se Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiq, ka thënë se nuk është në dijeni të vizitës së diplomatit kosovar por edhe kjo vizitë nuk ka nevojë të realizohet. /Telegrafi/