Louis Van Gaal është i kënaqur me nisjen që i ka bërë sezonit Manchester United. Falë fitores 3-1 ndaj Liverpoolit, Djajtë e Kuq e shohin veten në vendin e dytë të klasfikimit të Premier Leagues në kuotën e 10 pikëve, vetëm 5 pikë larg krysuesve të Manchester City-it. Edhe pse thekson se skuadra e tij ka ende për tu përmirësuar trajneri holandez beson se United i ka mundësitë për të rivalizuar Citiziens në garën për titullin kampion.
” Ne kemi siguruar kualifikimin për në fazën e Grupeve të Uefa Champions League dhe kemi grumbulluar 10 pikë në 5 ndeshjet e para të Premier Leagues. Unë mendoj se kemi bërë një ecuri të mirë. Objektivi ynë është të jemi në krye por gjithsesi jam i kënaqur me atë cfarë kemi arritur deri tani. Kemi 5 pikë disavantazh ndaj Manchester City-it por besoj se me kalimin e javëve mund ta ngushtojmë disi këtë diferencë. Kemi blerë shumë lojtarë të rinj gjatë verës dhe për ne nuk ka qenë e lehtë të shfaqim nivelin tonë më të mirë”.
Më pas Van Gaal foli edhe për ndeshjen ndaj Liverpoolit. Një gol fantastik i Daley Blind, një finalizim i Ander Herreras nga pika e bardhë e penalltisë dhe goli i parë që në debutim me fanellën e Manchester United i talentit francez Martial, hodhën knock-out Liverpoolin dhe madje rrjeta e Bentekes nuk i vlejti për asgjë skuadrës së Brendan Rodgers.
” Mendoj se bëmë një paraqitje të mirë kundër Liverpoolit. Kishim kontrollin e lojës për pjesën më të madhe të kohës dhe asnjëherë nuk e vendosëm në diskutim fitoren. Gol i Daley Blind? Ai ishte një finalizim fantastik që e kishim studiar dhe në stërvitje edhe pse merita është e Daley që goditi atë top në mënyrë fantastike. Përsa i përket Martial jam i lumtur për të pasi të shënosh që në debutim me një klub si Manchester United dhe në moshën e tij nuk është asnjëherë e lehtë. Ai djalë më pëlqen pasi ka cilësi të jashtëzakonshme”./ss/