Bordi i Drejtorëve i Agjencisë Kosovare të Privatizimit mbajti mbledhjen e rregullt gjatë të cilës ka emëruar Valon Tolajn në pozitën Drejtor Menaxhues me mandat prej katër vitesh.
AKP thotë se mandati i Valon Tolajt ka filluar sot.
Tolaj pason Ekrem Hajdarin, të shkarkuar nga kjo pozitë ditë më parë.
Kujtojmë se Valon Tolaj ka qenë sekretar ekzekutiv i partisë së kryeministrit Ramush Haradinaj, AAK.
Ai ka shërbyer në strukturat e AAK-së për shumë vjet, derisa një kohë udhëhoqi Forumin rinor të AAK-së dhe zgjedhjet e fundit kandidoi për asamble komunale në Prishtinë.
Tolaj mbahet mend për propozimin e tij të “çuditshëm” që të vendoset një taksë simbolike për të gjithë ata që nuk kanë qenë pjesë e luftës çlirimtare në Kosovë.
Ky propozim i tij kishte dalë në kohën kur Kosova po vlonte nga debatet për veteranët e rremë.
Në njoftimin e AKP-së për Tolajn, janë publikuar edhe disa vendime të kësaj ndërmarrje.
“Bordi në këtë takim shqyrtoi dhe miratoi transaksionet nga Shitja e aseteve në likuidim SHAL 42 si dhe miratoi propozimet për aprovim të listës së Shitja e aseteve në likuidim SHAL 43A”, njofton AKP.
Në këtë mbledhje, Bordi i Drejtorëve vendosi që bazuar në nenin 7, paragrafi 7.1, të marrëveshjes së shitblerjes për diferencën e mospërmbushjes së zotimeve në vlerë prej 9,441,768.83 Euro, ndërmarrja e re “Sharrcem” të paguajë çmim shtesë për blerjen e aksioneve.
Po ashtu Bordi i Drejtorëve mori vendim që për ndërmarrjet të cilave iu janë tërhequr aksionet “Grand Hotel” Prishtinë; “MIM“ Golesh dhe “XIM” Strezovc të ndiqen hapat ligjorë për inkasimin e këtyre ndëshkimeve.