Valdete Daka zbulon pse ka kaq shumë vota të pavlefshme

E publikuar: 29/09/2017 16:18
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Numri i madh i votave të pavlefshme në zgjedhjet e kaluara parlamentare, që u mbajtën në qershor, mund të përsëritet edhe më 22 tetor, pra edhe në zgjedhjet lokale.

Kjo për shkak edhe të mungesës së një fushate informuese për qytetarët e Kosovës, në lidhje me mënyrën e votimit.

Nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, institucion ky përgjegjës për organizimin e zgjedhjeve, thonë se faji nuk qëndron tek ta, por diku tjetër.

Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka në një prononcim për Gazetën Blic ka zbuluar të gjitha problemet që i ka KQZ me informimin e publikut për mënyrën e votimit në zgjedhje.

Daka ka thënë që krejt ky problem ka filluar kur Organi Shqyrtues i Prokurimit, ka anuluar tenderin për kompaninë që kishte përzgjedhur KQZ për të bërë informimin publik që ishte bërë qysh në mars, pra para zgjedhjeve të përgjithshme.

Tenderi është anuluar dy herë nga OSHP-ja dhe KQZ ka hyrë në zgjedhje pa pasur mundësi që të informojë publikun lidhur me votimin e drejtë.

“Këto janë procedura të prokurimit dhe ne qysh në mars e kemi shpall një tender për me përzgjedh një kompani e cila do ta bëj informimin publik me qenë se ky ka qenë vit zgjedhor, mirëpo fatkeqësisht tenderi është anuluar nga OSHP-ja është kthyer përsëri, se çka është duke ndodhur ne nuk e dimë sepse është në OSHP e gjithë lënda.”, tha ajo për Gazetën Blic.

Siç thotë Daka në pamundësi të zgjedhjes së një operatori që do të përkujdesej për pjesën e informimit, KQZ është detyruar të zgjedh mënyra alternative.

“Ne ligji mbi prokurorimin nuk na lejon që vetë ta bëjmë informimin ashtu siç duhet, pra ne i kemi bërë të gjitha ato procedurat që i bën kompania dhe ne atëherë jemi duke bërë informim publik nëpërmjet mënyrave alternative nëpërmjet zëdhënësit, rrjeteve sociale, në web faqen tonë, duke emituar spote pa pagesë në RTK, tash jemi duke tentuar që ta bëjmë edhe një spot motivues edhe edukues.” shtoi Daka.

Për të mbushur boshllëkun e informimit KQZ po mundohet të gjej mënyra alternative të cilat sipas Dakës ia lejon ligji.

“Ne jemi duke e bërë informimin në mënyrë alternative. prej të hënës fillon një fushatë nëpër universitete ku do t’i informojmë studentët, pra të gjithë votuesit e ri që marrin për herë të parë në zgjedhje, pra jemi duke i bërë të gjitha ato që na i lejon ligji. Procedurat e prokurorimit janë të komplikuar dhe ne na është pamundësuar të bëjmë informim publik.”, thotë Daka.

E krejt kjo ka si rezultat numër të madh të votave të pavlefshme. Në zgjedhjet e fundit të përgjithshme nga gjithsej 727,986 fletëvotime të pranuara 42,554 ishin të pavlefshme, ndërsa situata edhe më keq ishte në zgjedhjet lokale të vitit 2013-të kur nga 746.729 fletëvotime, 70.782 vota ishin të pavlefshme.

Pra, mosinformimi është sidomos evident në zgjedhjet lokale kur votuesit krahasojnë procedurën e votimit ashtu si në zgjedhje të përgjithshme dhe votojnë 5 kandidatë për asamble komunale, ashtu si për deputetë, kur në të vërtetë mënyra e duhur është vetëm një kandidat për asamble dhe subjekti politik.

Sa i përket procesit të përgjithshëm të përgatitjes për zgjedhje, Daka tha se deri tani gjithçka është duke shkuar sipas planit operacional.