Futbollistët e Përfaqësueses së Kosovës, në ndeshjet zyrtare dhe miqësore që do të luajnë në të ardhmen, do ta bartin logon e operatorit publik, Vala, pasi kjo e fundit ka vendosur që të bëhet Sponsor i Përgjithshëm i Federatës dhe Përfaqësueses së Futbollit.
VALA do të jetë sponsor, së paku për dy vitet e ardhshme, në bazë të marrëveshjes që ka nënshkruar sot Drejtori Menaxhues i PTK-së, Agron Mustafa dhe kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri.
Sponsorizimi i Vala-s për FFK-në dhe Ekipin Përfaqësues në futboll, merr domethënie të veçantë për faktin se FFK dhe Reprezentacioni i Kosovës në futboll, ishin të vetmet entitete futbolli në Evropë, pa sponsor të përgjithshëm dhe në gjendje të rëndë financiare.
Agron Mustafa, Drejtor Menaxhues i PTK-së, tha se qëllimi i këtij vendimi ishte që thjeshtë të ndihmohet Federata dhe Përfaqësuesja e Futbollit, në këto momente kur është vetëm një hap larg pranimit dhe zyrtarizimit në mekanizmat më të lartë ndërkombëtar, si UEFA dhe FIFA.
“Vala që nga sot do të jetë Sponsor i Përgjithshëm i Përfaqësueses së Futbollit. Jemi në një moment kur federata është në kulmin e aktiviteteve për pranimin dhe zyrtarizimin në organizatat ndërkombëtare. Është një kohë kur më së shumti i duhet ndihma dhe ne kemi vendosur ta mbështesim minimum për dy vitet e ardhshme. Gjithashtu, mendoj që është e papranushme si fakt, që Federata e jonë e futbollit, është e vetmja që deri tani nuk kishte sponsor”, theksoi Agron Mustafa, Drejtor Menaxhues i PTK-së.
Sipas tij, në momentet kur federata do të jetë e pranuar në organizmat ndërkombëtar të futbollit, atëherë nuk do të jetë problem për të gjetur sponsor, përkundrazi, kompanitë do të rrinë në radhë për të mbështetur Përfaqësuesen e Kosovës në futboll.
“Më duhet të them poashtu se kjo është edhe ndihma apo mbështetja që Vala jep për pjesë të caktuara të komunitetit, organizma të ndryshëm me karakter sportiv, kulturor, edukativ, muzikor, etj, etj. Gjithnjë ka pasur fjalë që Vala vetëm përfiton nga shoqëria pa kthyer asgjë. Me veprimin e sotëm ne dëshmojmë që ne PTK/Vala jemi faktor zhvillimi i sportit, i futbollit dhe jo vetëm. Ky është kontributi ynë për komunitetin apo rikthimi i një pjese të të ardhurave që fitojmë nga qytetarët. Do jemi pararojë në ndihmën që do japim për këto gjenerata sportistësh dhe tjera që do të vijnë”, deklaroi më tutje Agron Mustafa.
Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri tha se ndihet tejet i privilegjuar që tash e tutje do të kenë një sponsor të fuqishëm siç është kompania më e madhe PTK/ Vala.
“Të pranosh një ndihmë, përkrahje dhe mbështetje kaq të madhe nga drejtori menaxhues i PTK-së, për mua është një hap i madh drejt zhvillimit dhe ndërkombëtarizimit të futbollit tonë, kur dihet gjendja e vështirë financiare dhe teknike, me të cilën ballafaqohemi prej shumë vitesh. Një sponsor i përgjithshëm siç është Vala do të thotë se edhe ne që nga sot po hyjmë në N’Trip…n’Tripa të Valës”, tha Kreu i FFK-së, Fadil Vokrri
Marrëveshja e sotme përveç të tjerash, synon të promovojë vlerat e futbollit kosovar në botë, përmes fuqizimit të Federatës së Futbollit, në veçanti dhe sportit kosovar, në përgjithësi.