Të gjithë qytetarët e vendit, që duan të pajisen për herë të parë me numra të operatorit lider në vend, ata që duan të ndërrojnë operatorin dhe të kalojnë në Vala, apo të tjerë që duan të kenë numër të dytë të operatorit Vala, mund ta bëjnë këtë fare lehtësisht, pasi që nga dita e sotme janë nxjerrë në treg 100 mijë numra të rinj.
Numrat e rinj të Vala-s që janë nxjerrë në shitje, janë me prefiks 045, ndërsa seria e tyre fillon nga 100 mijë, apo 045 100 xxx.
Nxjerrja e 100 mijë numra të rinj për shitje është bërë pas kërkesës së qytetarëve dhe bizneseve për të pasur numra të rinj dhe të papërdorur më parë.
“Kemi pasur kërkesa të ndryshme dhe të vazhdueshme nga qytetarët për numra të rinj të Valas. Gjithashtu edhe bizneset gjithnjë kanë pasur kërkesa të shumta për numra serik në bllok, gjë të cilën deri tani e kemi pasur të pamundur t’ia plotësojmë për shkak se kapacitetet e Valas-s kanë qenë duke u shfrytëzuar pothuajse në total”, tha Drejtori Menaxhues i Vala-s, Agron Mustafa.
Sipas tij, seria prej 100 mijë numrave të rinj i shërben fushatës së Vala-s për kthimin e institucioneve, bizneseve dhe qytetarëve në operatorin publik apo anëtarësimi i të gjithë studentëve të universiteteve dhe kolegjeve në pakon e të rinjëve N’Trip.
“Janë dhjetëra institucione që janë kthyer në Vala dhe këto kthime i kemi bërë publike vazhdimisht. Fushata do të vazhdojë edhe në muajt e ardhshëm dhe me numrat e rinj të Vala-s ne jemi në gjendje më të mirë për t’i kënaqur kërkesat e klientëve tanë, veçanërisht kur ata kërkojnë qindra numra serik”, pohoi më tutje Drejtori Menaxhues i Vala-s, Agron Mustafa.
Njëkohësisht duam të informojmë të gjithë opinionin publik, se përveç prefiksit të numrave me 044, seritë tjera të numrave që fillojnë me: 045 200 xxx, 045 300 xxx, 045 400 xxx, 045 800 xxx, 045 900 xxx, janë numra të lëshuar në treg nga operatori më i madh në vend i telefonisë mobile, VALA.
Seria e numrave të rinj të Vala-s 045 100 xxx e tutje, do të mund t’i blini në çdo pikë shitje të Postave të Kosovës dhe pikave tjera të autorizuara për shitje.