Vajza nga Gjakova që braktisi shtëpinë i përgjigjet babait: Nuk jam prostitutë

E publikuar: 21/02/2018 20:03
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

J.D, vajza e madhe e 62 vjeçarit nga Gjakova, Ramë Demirit, ka mohuar deklaratat e babait se ajo merret me drogë e prostitucion. Këtë e ka konfirmuar edhe Policia, të njëjtit nuk kanë vërejtur diçka nga ato që prindi i ka thënë për vajzën e tij. Muaj më parë J.D ishte larguar nga shtëpia e babait, e më pas kishte marrë edhe motrën e vogël 9 vjeçe, Joanën. E mitura ishte raportuar si e zhdukur në polici dhe pas disa ditë qëndrimi në banesën e motrës kishte shprehur dëshirë që të mos kthehet më te babai. Gjatë ditës së sotme Qendra Sociale ia ka kthyer Demirit vajzën e vogël në shtëpi.

Mësohet se pas një problemi familjar J.D kishte vendosur të largohej nga shtëpia. Tash e disa muaj ajo nuk jeton në shtëpinë e babait. Ndërsa në banesën e saj me qira, kishte ndenjur për pak ditë edhe Joana e mitur.

Njëherë në përkujdesjen e Qendrës Sociale e ditëve të fundit në Shtëpinë e Sigurisë, Joana Demiri sot u kthye përfundimisht në shtëpinë e babait të saj. Ndërsa, vajza e madhe J.D nuk ka vendosur ende nëse do t’i bashkohet familjes.

Pas këtij momenti, Gazeta Express ka qëndruar në shtëpinë e prindit 62 vjeçar, Ramë Demirit i cili thotë se kishte planifikuar ta mbyste vetën, për shkak të largimit të vajzave nga shtëpia. Ky prind pretendon se vajzën e vogël ja kanë kthyer, ndërsa vajza e madhe ka mbetur rrugëve.

Ramë Demiri
Ramë Demiri

“Ja e marrë çikën, ja e mbys vetën”, kishte deklaruar Ramë Demiri, pasi e kuptoi se vajza e tij e vogël, 9 vjeçare, kishte vendosur të mos kthehet në shtëpinë e tij. Gjithçka filloi njëmbëdhjetë ditë më parë kur Ramë Demiri e raportoi vajzën si të zhdukur në polici. Ky prind dyshonte se vajzën e vogël ia kishte rrëmbyer vajza e tij e madhe (21 vjeçare), që sipas tij merret me drogë dhe prostitucion.

Tri ditë më vonë (15.02.2018), Joana Demiri u gjet në banesën e motrës së saj.

“Gjendja nuk është qetësu, sot ma prunën çikën në shpi, Qendra Sociale, çikën e vogël ma prunën ajo u dalë rrugëve”, thotë Demiri për Gazetën Express.

Gazeta Express ka vizituar edhe Shtëpinë e Sigurisë në Gjakovë, aty ndodhet e strehuar vajza e madhe e Ramë Demirit, J.D.

Ajo nuk ka pranuar të flasë për Gazetën, por mohoi pretendimet e prindit të tij se ajo merret me drogë e prostitucion. Sidoqoftë tha se nuk ka vendosur ende nëse do të kthehet te babai apo do të vazhdojë të jetojë e vetme.

“Nuk e di a kthehna, jam e pastër”, tha shkurtë vajza e madhe e Demirit.

Shtëpia e Sigurisë në Gjakovë
Shtëpia e Sigurisë në Gjakovë

Pretendimet e Ramë Demirit për vajzën e tij të madhe i ka mohuar edhe Policia e Kosovës. Lirije Podrimaj nga Stacioni Policor i Gjakovës, tha për Express se deri më tani policia nuk ka vërejtur diçka nga ato që prindi i ka thënë për vajzën e tij.

“Deri më tani nuk kemi pranuar asnjë informatë apo ankesë që ka të bëjë me motrën e së miturës siç deklaron ankuesi”, tha Podrimaj.

Express mëson se vajza e vogël kishte pasur konflikt me njerkën e saj, gruan e Ramë Demirit, të cilët po e presin një fëmijë. Sipas këtij burimi, njerka e të miturës kishte tentuar ta rrihte atë, ndërsa e mitura i  kishte treguar motrës së madhe, e cila e kishte strehuar në banesën e saj./Gazeta Express