Utlimatumi i Gjiknurit: Brenda 15 ditësh, hiqni reklamat dhe bizneset buzë rrugëve

E publikuar: 18/09/2017 13:54
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri ka ndërmarrë një operacion për pastrimin e akseve rrugore. Gjatë një inspektimi tek mbikalimi i Shkozetit, Gjiknuri u ka dhënë një ultimatum për heqjen e bizneseve dhe reklamave në akset rrugore.

“U bëj thirrje të gjithë atyre që me veprimet e tyre kanë cenuar disiplinën dhe sigurinë e akseve rrugore: Keni vetëm 15 ditë kohë që të bëni në mënyrë vullnetare çmontimin e çdo aktiviteti civil/ekonomik pa leje, heqjen e çdo tabele që nuk ka lidhje me sinjalistikën rrugore por e pengon atë. Në përfundim të këtij afati, strukturat përkatëse do të ndërhyjnë në të gjithë akset kombëtare. Nuk do të ketë asnjë tolerancë. Në përfundim të të gjitha fazave të operacionit, hyrje-daljet e akseve kombëtare, nyjet dhe hapësirat do të pastrohen plotësisht,”- ka thënë Gjiknuri.

Ai shtoi se për shkak të problemeve që lidhen me çështjet e pronësisë, operacioni do të zhvillohet në disa faza. Do të fillohet me ndërhyrjen, në rastet ku ka nevojë vetëm për pastrim dhe nuk ka implikime pronësore. Në fazën e dytë do të kalohet në ndërhyrjen e sistemuar sipas projekteve specifike aty ku ka nevojë për shpronësim, pastrim, sistemim dhe gjelbërim./Dritare.net