Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, priti në takim ministrin e Punëve të Jashtme të Greqisë, Nikolaos Kotzias.
Gjatë takimit u bisedua për marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Greqisë dhe mundësitë e thellimit të bashkëpunimit dhe shkëmbimeve ndërmjet dy vendeve.
Kryeministri Isa Mustafa e falënderoi shefin e diplomacisë greke për përkrahjen e ofruar nga Greqia në proceset e anëtarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare si dhe në proceset integruese në Bashkimin Evropian.
Duke e vlerësuar lartë rëndësinë e kësaj vizite të parë në nivel të ministrit të Punëve të Jashtme të Greqisë në Kosovë, kryeministri Isa Mustafa shprehu vullnetin e Qeverisë së Kosovës për fuqizimin e raporteve bilaterale ndërmjet dy vendeve, duke besuar se janë pjekur kushtet që këto marrëdhënie të avancohen më tutje.
Kryeministri Mustafa e informoi edhe për proceset aktuale në Kosovë, për reformat që po ndërmerr Qeveria e Kosovës në shumë fusha, duke filluar nga zhvillimi ekonomik, hapja e vendeve të punës, forcimi i shtetit ligjor, proceset integruese evropiane të Kosovës, si dhe reformat në shumë fusha të jetës.
Kryeministri Isa Mustafa dhe ministri i Jashtëm grek Nikolaos Kotzias, shprehën vullnetin e dy vendeve për të punuar së bashku në avancimin e mëtejshëm të proceseve në shërbim të fuqizimit të paqes, sigurisë dhe stabilitetit në rajon.
Ministri i Punëve të Jashtme i Greqisë, Nikolaos Kotzias, theksoi përkrahjen e Greqisë për proceset e anëtarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare, përfshirë ato të sigurisë, duke shprehur bindjen se këto procese do t’i shërbejnë stabilitetit në rajon.