Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka njoftuar nënshkrimin e kontratës kornizë, për blerjen e sistemeve moderne të artilerisë mobil HUMVEE Hawkeye.
Kontrata u nënshkrua me prodhuesin e njohur amerikan të industrisë ushtarake – AM General.
“Me këtë blerje, ushtria jonë po kalon në një fazë tjetër zhvillimi, atë të rritjes së fuqisë së zjarrit direkt për qitje në distanca të largëta”, shkroi Maqedonci.
Ai njoftoi se kontrata parasheh edhe blerjen e automjeteve moderne të mbështetjes, pjesë rezervë, mirëmbajtje si dhe trajnim për operim dhe mirëmbajtje të pajisjeve.
“Kjo blerje shënon një hap të rëndësishëm në forcimin e kapaciteteve tona mbrojtëse dhe në ndërtimin e një ushtrie moderne, të aftë, të gatshme dhe të ndërveprueshme me aleatët tanë strategjikë, duke garantuar siguri më të madhe për vendin dhe stabilitet afatgjatë në rajon.”



















