Ushtria izraelite “zgjerojnë aktivitetin” në Gazë

E publikuar: 27/10/2023 20:31
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo
Hamasi Izraeli Gaza

Hamasi Izraeli Gaza

Ushtria izraelite ka thënë të premten se forcat e saj tokësore do ta “zgjerojnë aktivitetin” në Rripin e Gazës, teksa ushtria përgatitet për pushtim të plotë tokësor në këtë territor të rrethuar.

Zëdhënësi i ushtrisë izraelite, Daniel Hagari ka thënë se sulmet tokësore i kanë në shënjestër tunelet e Hamasit dhe shënjestra tjera.

“Përveç sulmeve që i kemi kryer në ditët e fundit, forcat tokësore janë duke e zgjeruar aktivitetin këtë mbrëmje.” – ka thënë ai.

“Ushtria izraelite është duke vepruar me forcë të madhe për t’i arritur synimet e luftës.”

Izreli i ka mbledhur qindra mijëra ushtarë afër kufirit me Gazën, para ofensivës që pritet ta nisë kundër grupit militant palestinez, Hamas.

Pjesërisht apo plotësisht grupi konsiderohet terrorist nga Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe dhe disa vende tjera.

Në deklarimin e së premtes, ushtria izraelite u ka bërë sërish thirrje banorëve të qytetit të Gazës që të shpërngulen në jug, për shkak të zgjerimit të operacionit ushtarak.

Agjencia e lajmeve AFP ka raportuar për shpërthime të fuqishme në Gazë në mbrëmjen e së premtes.

Sipas kësaj agjencie, pjesa më e madhe e Rripit të Gazës ka mbetur pa internet.

Mbi 1.4 milion njerëz në Gazë kanë ikur prej shtëpive të tyre, dhe gjysma besohet se janë nëpër shatorret e Kombeve të Bashkuara.

Qindra mijëra njerëz vazhdojnë të qëndrojnë në veri të Gaza, pavarësisht thirrjeve të Izraelit për t’u evakuuar.

Banorët në Gazë kanë mbetur pa ushqim, ujë dhe ilaçe.

Kombet e Bashkuara e kanë përshkruar situatën humanitare si të rëndë.