Ushtarët izraelitë kanë ndalur një ekip të televizionit gjerman ARD derisa po ktheheshin nga Bregu Perëndimor, duke i kërcënuar me armë, raportojnë mediat gjermane.
Incidenti ka ndodhur të dielën pasdite, pasi që ekipi i televizionit publik Bayerische Rundfunk (BR), që punon nga Tel Avivi po kthehej nga terreni – ku kishin realizuar një reportazh mbi të zhvendosurit izraelitë që dyshohet se ushtruan dhunë mbi palestinezët.
Korrespondenti Jan-Christoph Kitzler ka thënë se ushtarët izraelitë i kishin ndalur në jug të qytetit Hebron, dhe i kishin mbajtur për një orë.
Gjatë asaj kohe, ushtarët kanë patur sjellje agresive sipas Kitzler, duke i kërcënuar me armë.
“Ushtarët na kërcënonin me armë dhe na pyesnin nëse jemi hebrenj. Një nga koleget tona e quajtën tradhtare”, tha Kitzler.
E situata u qetësua pas më shumë se një ore, kur në vendin e ngjarjes arritën ushtarët dhe policët e tjerë izraelitë.
Bayerische Rundfunk konsideron këtë incident si sulm ndaj lirisë së medias. Kitzler theksoi se ekipi i tij ishte identifikuar qartë si gazetarë të akredituar, dhe se gjendeshin larg zonë ku është e ndaluar qasja për gazetarë.
Ai gjithashtu dënoi ashpër sjelljet e ushtarëve izraelitë, duke i cilësuar si të papranueshme. E zëdhënësi i ushtrisë izraelite ka bërë të ditur se është duke u hetuar rasti. /Telegrafi/