Ushtarët e FSK-së ende pa jelekë taktikë, tenderi përfundon në OSHP

E publikuar: 02/09/2025 14:41
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Tenderi i Forcës së Sigurisë së Kosovës në vlerë të parashikuar prej 470 mijë eurove për furnizimin me jelekë taktikë për nevojat e ushtrisë ka përfunduar në Organin Shqyrtues të Prokurimit nga një kompani ofertuese që është ndarë e pakënaqur me specifikat e tenderit.

Ushtarët e FSK-së sërish do të jenë pa jelekë taktikë, pasi që herën e parë ky tender kishte dështuar për shkak që asnjë operator ekonomik s’i ka plotësuar specifikat e tenderit që i ka caktuar Ministria e Mbrojtjes, raporton Infosot.

Kompania Smart X Industries Sh.P.K ka paraqitur ankesë pranë OSHP-së, duke kundërshtuar specifikat teknike dhe kërkesat e tenderit të shpallur nga Ministria e Mbrojtjes për “Ritenderimin- Furnizim me jelek taktik – SUFSK 1001 për nevojat e FSK-së”.
Sipas ankesës, tenderi është shpallur më 3 korrik 2025, ndërsa afati për dorëzimin e ofertave është caktuar më 29 gusht 2025. Kompania pretendon se dosja e tenderit përmban specifikime të paqarta dhe diskriminuese, duke kufizuar konkurrencën dhe duke favorizuar operatorë të caktuar ekonomikë, raporton Infosot.

Pretendimet kryesore të ankuesit janë për specifikimet teknike të xhepave të jelekëve taktikë që do të furnizohet FSK-ja. Kompania kërkon sqarim për tolerancën e lejuar në përmasat e xhepave të jelekut, por sipas saj, mungesa e qartësimit rrezikon eliminimin e padrejtë të ofertuesve. Smart X Industries kërkon që të lejohet toleranca prej ±2 cm për të gjithë xhepat, duke theksuar se kjo nuk ndikon në funksionalitetin e produktit.

Gjithashtu kompania ankuese konteston standardet e kërkuara nga autoriteti kontraktues
(ISO 13934 dhe ISO 13937), duke kërkuar përdorimin e ISO 1421 dhe ISO 4674, të cilat sipas saj janë më të përshtatshme për materialet e veshura teknike si najloni Cordura 1000D, që përdoret për jelekë taktik. Sipas ankesës, standardet e kërkuara aktualisht nuk pasqyrojnë realisht qëndrueshmërinë dhe rezistencën e materialit në kushte praktike.

Në kërkesat për kompanitë është edhe vlera qarkulluese minimale 500 mijë euro, e që edhe këtë kriter e ka kundërshtuar kompania ankuese, duke pretenduar se po diskriminohen.

Sipas dokumentit të tenderit, të gjithë operatorët duhet të dorëzojnë mostra
fizike para afatit të fundit për dorëzim të ofertave. Smart X Industries kërkon që kjo kërkesë të hiqet për të gjithë ofertuesit dhe mostrat të kërkohen vetëm nga kompania që shpallet më e favorshmja. Sipas saj, kjo do të shmangte shpenzimet e panevojshme dhe do të nxiste konkurrencën.

Gjithashtu, kompania ka kërkuar shtyrjen e afatit për hapjen e ofertave për të paktën 30 ditë, në mënyrë që të mund të bëhen ndryshimet e nevojshme në përputhje me specifikat e kërkuara.
Smart X Industries thekson se refuzimi i kërkesës së saj për rishqyrtim nga ana e Ministrisë së Mbrojtjes është bërë pa arsyetim të detajuar dhe se sqarimet e dhëna më pas nga autoriteti kontraktues janë të paqarta dhe kontradiktore. Për këtë arsye, kompania ka paraqitur ankesën pranë OSHP-së, duke kërkuar ndërhyrjen e këtij institucioni për të siguruar barazi dhe transparencë në procesin e prokurimit.

Ankesa ne OSHP-FSK (Dokument)