Ushtarë amerikanë arrijnë në Ukrainë

E publikuar: 17/04/2015 11:33
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Rreth 300 paratrupa amerikane kanë arritur në Ukrainë këtë javë, për të trajnuar trupat e Gardës Kombëtare të Ukrainës, e cila është duke luftuar separatistët pro-rusë në lindje të vendit.

Ata do të trajnojnë 900 anëtarë të forcës rezerviste, e cila është thirrur në vitin 2014.

Trajnerët e SHBA-së janë nga Brigada 173 e ushtrisë amerikane, një njësi me bazë në Itali, e cila shërben si përgjigje për Evropën.

Trupa të së njëjtës njësi janë vendosur në Poloni, Estoni, Letoni dhe Lituani në vitin 2014 për të trajnuar forcat e atjeshme dhe për të lehtësuar shqetësimet e ngritura pas ndërhyrjes ushtarake të Rusisë në Ukrainë.

Luftimet midis separatistëve pro-rusë dhe trupave të Ukrainës në lindje kanë lënë të vrarë mbi 6,000 njerëz gjatë vitit të kaluar dhe ato vazhdojnë pavarësisht marrëveshjes për armëpushim, të arritur në muajin shkurt.