Stina e verës përbën kushtet ideale të zhvillimit të baktereve patogjene në ushqime. Ato mund të gjenden edhe në fruta, perime e jo vetëm në ushqimet shtazore.
Bëni kujdes me ushqimet e mëposhtme nëse doni të evitoni rrezikun e helmimit, duke u siguruar të plotësojnë kushtet e sigurisë dhe higjienës! Në veçanti duhet të bëjnë kujdes gratë shtatzëna, fëmijët e vegjël dhe mosha e tretë, të cilët kanë një sistem imunitar më delikat dhe aparat tretës më të ndjeshëm!
Ushqimet e rrezikshme në verë:
-Mishi i pagatuar:mishi gjithmonë përmban baktere që eliminohen vetëm me gatimin. Është e udhës në këtë stinë të mos e preferoni mishin me gjak!
-Guackat krudo: Nga 2011 deri në 2013, në botë është vërejtur rritje deri në 50% i bakterit Vibrio Vulnificus në prodhimet e detit të gjalla, sidomos te ostriket. Helmimi prej tij shkakton diarre, të vjella dhe spazma!
-Majoneza dhe akulloret e bëra me vezë të gjallë: vezët e pagatuara duhet të evitohen detyrimisht në stinën e verës nëse nuk doni të rrezikoni prej Salmonelës!
-Qumështi i pasterizuar: Qumështi është ndër produktet më delikate ndaj temperaturave të ngrohta. Duke ditur se në Shqipëri zinxhiri i ftohjes ndërpritet shpesh, qumështi i pasterizuar rrezikon menjëherë në krahasim me atë të sterilizuar që shkruan UHT. Bëni kujdes edhe me gjithë nënproduktet e qumështit të pasterizuar, siç janë akulloret!
-Jeshillëqet: edhe pse duken si të pafajshme, këto ushqime mund të rrezikojnë nga toka ku mbillen nëpërmjet ujërave të kontaminuara nga jashtëqitje të gjësë së gjallë apo edhe gjatë përpunimit me duar të palara apo me kontaktin me ushqime si mishi! Kujdesuni të lani duart mirë dhe enët e sipërfaqet ku i përgatisni këto sallata, të cilat më parë është mirë t’i lani me ujë të bollshëm disa herë dhe t’i vendosni edhe pak minuta në ujë me sodë ose uthull molle! /Shendeti.com/