Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” s’do ta lejojë më stafin e vetë që të angazhohet edhe nëpër kolegje private. Vendimi është marrë sot nga Këshilli Drejtues i UP’së. Për ish-zëvendësministrin e Arsimit, Dukagjin Pupovcin, ky vendim është i kuptueshëm. Ai ka propozuar që një vendim i ngjashëm të merret edhe për universitetet e tjera publike, meqë thotë se do t’u ndihmonte të profilizohen.
Këshilli Drejtues i Universitetit të Prishtinës ka vendosur sot që t’ua ndalojë profesorëve të këtij universiteti që të angazhohen edhe në kolegje private.
Në vendim thuhet se këtu përfshihet edhe deklarimi në Agjencinë e Kosovës për Akreditim, si staf akademik i institucionit privat të arsimit të lartë apo mbështetjen në çfarëdo forme të kolegjit/institucionit privat të arsimit të lartë, në procesin e akreditimit të programeve dhe atë institucional.
“Nuk lejohet angazhimi i personelit akademik në kolegje/institucione private të arsimit të lartë, përfshirë edhe deklarimin në Agjencinë e Kosovës për Akreditim, si staf akademik i institucionit privat të arsimit të lartë apo mbështetjen në çfarëdo forme të kolegjit/institucionit privat të arsimit të lartë, në procesin e akreditimit të programeve dhe atë institucional”, thuhet në vendim.
Ish-zëvendësministri i Arsimit, Dukagjin Pupovcin, i ka thënë Gazetës Express se vendimi i marrë nga Këshilli Drejtues është i kuptueshëm, meqë kolegjet private janë konkurrencë e drejtpërdrejtë e Universitetit të Prishtinës.
Sipas Pupovcit, ky vendim është i dobishëm edhe për kolegjet private, meqë do t’u ndihmojë në profilizim.
“Në kushtet e zvogëlimit të vazhdueshëm të interesimit për studime universitare dhe ashpërsimit të kushteve për akreditim, kolegjet private janë konkurrencë e drejtpërdrejtë e Universitetit të Prishtinës, prandaj vendimi është i kuptueshëm. Besoj se ky vendim i UP-së do t’i ndihmojë kolegjet private që të profilizohen, duke u përqendruar në ato programe për të cilat mund të sigurojnë personel akademik të kualifikuar, sepse personeli akademik është aseti kryesor që i jep identitet një institucioni të arsimit të lartë.
Ai ka propozuar që një vendim i ngjashëm të merret edhe për universitetet tjera publike.
“Do të ishte e arsyeshme që një vendim i ngjashëm të merrej edhe në raport me universitetet tjera publike, që do të ju ndihmonte edhe atyre të profilizohen, duke shmangur replikimin e panevojshëm të programeve të UP-së në ato universitete”, ka thënë Pupovci.
Ndryshe, Pupovci ishte emëruar zëvendësministër në Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, në prill të vitit 2021.
Në nëntor të vitit 2022, ai kishte njoftuar se do të tërhiqej nga ky post, për arsye të natyrës personale.
“Është e vërtetë se kam planifikuar që deri në fund të vitit 2022 të tërhiqem nga posti i zëvendësministrit të MASHTI dhe këtë ja kam komunikuar Ministres Nagavci dhe Kryeministrit Kurti në tetor. Arsyet janë të natyrës personale. Për korrektësi, dorëheqjen formale nuk e kam paraqitur akoma, por këtë do ta bëj në kohën e duhur, kur t’i përfundoj edhe disa punë që i kam filluar dhe në koordinim me Ministren e Kryeministrin. Edhe pasi të jem larguar nga posti i tanishëm do të mbetem aktiv në fushën e arsimit”, kishte thënë Pupovci për Express, atë kohë.