Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina”, ka akuzuar kryeinspektorin e Arsimit, Dëfrim Gashi, se po bën presion nëpërmjet instrumenteve të pushtetit, për shkak se senati ia ka refuzuar diplomën e doktoratës, shkruan sot Koha Ditore.
Përmes një komunikate, UP-ja ka theksuar se po përballet me një presion të shtuar, sidomos nga organet shtetërore jashtë universitetit me pretekste të ndryshme, por në shumicën e rasteve të ndërlidhura drejtpërdrejtë me interesat e individëve të caktuar brenda UP-së, madje shpesh edhe jashtë këtij institucioni.
Këta individë përfshirë edhe kryeinspektorin Gashi, sipas UP-së, po shfrytëzojnë lidhjet e ndryshme personale, familjare dhe klanore duke aktivizuar Inspektoratin e Arsimit, Inspektoratin e Punës, Agjencinë Kundërkorrupsion dhe sektorët e ndryshëm të policisë për të bërë presion mbi organet e UP-së me qëllim të nxjerrjes së vendimeve të caktuara, kryesisht me karakter akademik.

















