UNESCO merr nën mbrojtje traditën e shtegtimit të bagëtive në Shqipëri

E publikuar: 06/12/2023 13:54
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Komiteti Ndërqeveritar për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore e ka futur traditën e shtegtimit të bagëtive të Shqipërisë në listën e trashëgimisë kulturore botërore të UNESCO-s, njoftoi të mërkurën ministrja e Kulturës e Shqipërisë, Elva Margariti.

Për ta futur këtë traditë nën mbrojtjen e Organizatës Arsimore, Shkencore dhe Kulturore e Organizatës së Kombeve të Bashkuara (UNESCO), Shqipëria kishte aplikuar në një dosje të përbashkët me Italinë, Austrinë, Greqinë, Spanjën, Francën, Rumaninë, Kroacinë, Luksemburgun dhe Andorrën në mars 2022.

“Tradita e shtegtimit të bagëtive është një traditë e lashtë që ka kapërcyer shekujt dhe shtete; një mënyrë jetese e pasur me këngë pastorale, instrumente, veshje, rite, festa dhe kulinari”, shkroi Margariti në Facebook.

Në Shqipëri kjo traditë zhvillohet në zonat e thella malore në veri dhe në jug të vendit. Me nisjen e stinës së verës, në qershor, barinjtë me kopetë e bagëtive bëhen gati të udhëtojnë drejt bjeshkëve. Ata e njoftojnë njëri-tjetrin dhe nisin së bashku rrugëtimin për në zonat e larta malore, ku qëndrojnë për tre muaj.

Ata marrin me vete enë dhe pajisje për të mbledhur dhe përpunuar qumështin, qentë që ruajnë bagëtitë, por edhe fyell apo çifteli e vegla të tjera muzikore, për të kaluar ditët dhe netët larg shtëpisë dhe familjes.

Pas tre muajsh shtegtimi, barinjtë dhe kopetë e bagëtive kthehen në shtëpi, së bashku me ushqimet e grumbulluara gjatë kësaj kohe. Zakonisht, për kthimin e tyre organizoheshin edhe festime. Kjo traditë rrezikon të zhduket për shkak të lëvizjes së banorëve të fshatrave drejt zonave urbane, por edhe për shkak të emigrimit jashtë vendit.

Ministrja tha se ky vendim “do të jetë një ogur i mirë edhe për dosjet e tjera që Shqipëria ka dorëzuar pranë UNESCO-s”.

Shqipëria ka dorëzuar kërkesat me dosjet përkatëse për “Kcimin e bjeshkës me tupan të Tropojës” dhe “Këndimin me lahutë të këngëve të kreshnikëve”, të cilat ende nuk janë shqyrtuar nga UNESCO.

Aktualisht pjesë e trashëgimisë botërore të UNESCO-s janë Gjirokastra, Butrinti, Berati, liqeni i Ohrit, lumi i Gashit në luginën e Valbonës, si dhe xhubleta.

Pak kohë më parë, Shqipëria u zgjodh anëtare e Bordit Ekzekutiv të UNESCO-s për periudhën 2023-2027.