Komandanti i KFOR-it, gjeneralmajor Ozkan Ulutash, takoi sot përfaqësuesit e organizatave të sigurisë në Kosovë, komandantin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjenerallejtënant Bashkim Jashari, drejtorin e Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha dhe drejtorin e Agjencisë Kosovare të Inteligjencës, Petrit Ajeti.
Në një njoftim për media thuhet se, në takimin e mbajtur në Shtabin e KFOR-it, në Prishtinë, u diskutua mbi situatën e përgjithshme të sigurisë në Kosovë dhe nivelin e bashkëpunimit.
Ulutash me krerët e FSK-së, policisë dhe AKI-së gjithashtu u dakorduan për angazhime të vazhdueshme, koordinim dhe konsultime të rregullta.
KFOR-i vazhdon të zbatojë mandatin e tij për të kontribuar në një mjedis të sigurt për të gjithë qytetarët e Kosovës dhe lirinë e lëvizjes, si reaguesi i tretë i sigurisë, pas Policisë së Kosovës dhe EULEX-it.