Kievi është duke shqyrtuar mundësinë e ndërprerjes së marrëdhënieve diplomatike me Moskën, e akuzuar për mbështetje ushtarake të separatistëve të Donbasit.
Sipas gazetës ruse “Kommersant”, një paragraf mbi ndërprerjen e marrëdhënieve diplomatike mes Rusisë dhe Ukrainës mund të paraqitet në një projektligj që garanton sovranitetin e Ukrainës mbi territoret e Donbasit, në duart e prorusëve, që së shpejti do të shqyrtohet gjatë një rishikimi të dytë.
Ivan Vinnik , deputeti i grupimit politik të Poroshenkos, ka konfirmuar se synon të propozojë rishikimin e marrëdhënieve me Rusinë, si një ”vend agresor” dhe shqyrtimin e mundësisë për ”përfshirjen e një pale të tretë për realizimin e disa funksioneve të përfaqësimit të Ukrainës në Rusi”.
“Gjatë viteve të fundit, në Ukrainë janë marrë disa vendime që kanë patur pasoja negative në lidhje me zgjidhjen e konfliktit në juglindje”, tha zëdhënësi i Putinit, Dmitri Peskov, përcjell Atsh.
“Nëse ky vendim do të merret, situata në vend do të komplikohet më tej”, shtoi ai.

















