Kompania e ujësjellësit rajonal “Prishtina” ka shkarkuar Gjelosh Vatajn nga posti i drejtorit gjeneral të kësaj kompania, raporton Koha.net.
Burimet e portalit Koha.net kanë thënë se bordi drejtues e ka shkarkuar Vatajn dhe ushtrues detyre e ka caktuar Selatin Ratkocerin.
Anëtarët e bordit drejtues kanë mbajtur sot një takim nga i cili kanë dalë me vendim për shkarkimin e Gjelosh Vatajt për shkak të keqmenaxhimit.
KTV-ja ka kontaktuar me drejtorin tashmë të shkarkuar, Gjelosh Vataj por me të kuptuar se bëhet fjalë për interesimin e televizionit për shkarkimin e tij, ai e ka ndërprerë telefonin.
Televizioni ka mësuar se ai është shkarkuar derisa nuk gjendet fare në Kosovë, por është në një udhëtim në SHBA.
Portali Koha.net ka kontaktuar edhe me zëdhënësen e Ujësjellësit Rajonal “Prishtina”, Arjeta Mjekun.
Ajo ka konfirmuar mbajtjen e takimit të bordit drejtues, por ka thënë se nuk ka informacione për shkarkimin e Vatajt.
“Takimi ka vazhduar deri pas orës 16:00, por për informacionet zyrtare do të publikohen të hënën”.